Ish-kryetari i Bordit të Trustit: Të mos shkatërrohet ky institucion për një grusht votash

Ish-kryetari i Bordit të Trustit, Ymer Havolli, ka thënë se ky institucion nuk duhet të shkatërrohet, kjo duke iu referuar diskutimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës për mundësimin e tërheqjes nga 10 deri në 30 përqind nga ky fond.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se personat që do t’i tërheqin tani paratë do të kenë probleme financiare në kohën e pleqërisë.

“Trusti nuk duhet të shkatërrohet për një moment me disa vështirësi ekonomike ose për një grusht vota. Do t’i ballafaqoni njerëzit në kohën e pensionit si mos ma keq. Nuk bëhet zgjidhje e problemeve sociale me pronë të huaj. Deputetë ‘JU JENI PËRGJEGJËS’ me hap perspektivë, jo me cenu të drejtën e kursyesve, gjoja se ju po bëni punë të madhe”.

“Nesër kur këtë institucion kredibil ta shndërroni sikur të gjitha të tjerat: rruga e vetme mbetet ta sulmoni njëri-tjetrin e të gjeni fajtorin. Ndërkaq, ky institucion do të shndërrohet në lëngatë që s’do ia gjeni ilaçin!”,ka thënë Havolli, transmeton KlanKosova.tv.