Finlanda, porosi Putinit: Fajëso veten për zgjerimin e NATO-s

Finlanda thotë se aplikimi për t’u bashkuar me NATO-n ka të bëjë tërësisht me mbrojtjen. Por Vladimir Putin nuk e sheh kështu. Ai e ka parë gjithmonë zgjerimin lindor të NATO-s si një kërcënim. Finlanda ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, duke e sjellë fuqinë ushtarake të aleancës shumë më afër Moskës.

Anëtarësimi i Finlandës apo i Suedisë do ta bëjë NATO-n gjithashtu më të fortë, duke rritur krahun e saj lindor dhe praninë në Detin Baltik dhe Kremlini ka kërcënuar me hakmarrje. Disa druhen se Putini mund të pozicionojë armë bërthamore.

Por diplomatët finlandezë, raporton BBC, besojnë se Rusia i ka plot duart ushtarakisht në Ukrainë dhe se në vend të kësaj do të fokusohet në fushatat kibernetike dhe dezinformuese.
Ata thonë se presidenti Putin duhet të fajësojë veten që NATO po zgjerohet. Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, shumica e finlandezëve dhe suedezëve preferonin të punonin së bashku, por jo brenda NATO-s. Agresioni rus, zelli i tij ekspansionist, e ndryshoi gjithçka.