“Erdhën nga ferri”, historia tragjike e nënës ukrainase me dy binjakët e saj, si i verboi bomba ruse që i shpërtheu në banesë

Ishte mëngjesi i 11 marsit në rajonin lindor të Ukrainës të Dnipropetrovsk Oblast, kur një bombë përfundoi në shtëpinë e Olena Selichzianowa. Duke folur në rusisht, nëna e djemve binjakë pesëvjeçarë, Nazar dhe Timur, përshkruan se si ra në gjunjë, duke tërhequr djemtë e saj poshtë trupit të saj për t’i mbrojtur nga copat e bombave. Pas goditjes së bombës, ajo nuk kujton asgjë. Të tre u verbuan nga fragmentet fluturuese që përfunduan në krahët dhe fytyrat e tyre. Lëkura e tyre ishte djegur keq, një copë xhami e vogël u fut në njërin sy të Olenës dhe këmba e saj ishte thyer.
Familja u nxor nga rrënojat dhe u dërgua në një spital aty pranë, por plagët e tyre ishin aq të rënda sa duhej të transferoheshin diku tjetër për ndihmë më të specializuar. “Shkova në kuzhinë dhe pashë një bombë që vinte drejt dritares sime. Ishte e gjitha kaq e shpejtë sa nuk e dija se çfarë po ndodhte. Thjesht e pashë atë duke fluturuar drejt meje.”
Në Lviv, specialistja e syve, Dr Nataliya Preys u njoftua për lëndimet e kësaj familjeje, ndërsa më pas ajo ia dërgoi imazhet e dëmtimeve ish-mësuesit të saj në Poloni, profesor Robert Rejdak, në Universitetin Mjekësor të Lublinit. Ai e dinte që të tre duhej të trajtoheshin menjëherë. Por luftimet në Ukrainë nënkuptonin se do të duhej një javë që Olena, Nazari dhe Timur të arrinin në Poloni.