Në mes të dimrit ka mbetur në rrugë, Bajramov: Na trajtojnë si hajna dhe kafshë

Ky është Kamber Bajramov i pastrehë. Ai për shumë vite jeton rrugëve të Shkupit kudo që gjen një vend për të fjetur. Gjatë dimrit ai qëndroi 1 muaj në strehimoren Momin Potok, por dje i kanë thënë se duhet ta lëshojë punktin, sepse nuk mund të qëndrojë më shumë se 30 ditë.

“Dje dolëm nga Punkti Momin Potok në mëngjes na u tha kaq ju takon, kaq mund të rrini vetë 30 ditë më shumë jo. Ku të shkojmë, a kanë mëshirë ata për këto të pastrehë. Për të gjithë ndërtohet, le të na akomodojnë diku le të na bëjnë zgjidhje. Le ta pyesin një të pastrehë si jeton dhe jo ti lënë si të pamëshirshëm dhe ti hedhin si të jen qen, si kafshë”, tregon ai.

I sëmurë, me stendë në zemër dhe vetëm me një ndihmë sociale prej 5000 denarëve ai duhet që ta sigurojë jetën e tij. Atij i duhet shpesh të shtrij dorën për lëmosh, e shpesh trajtohet edhe si hajdut. Por ai ka vetëm një kërkesë, të ketë një kulm mbi kokë, një vend stabil ku do të qëndrojë përgjithmonë.

“Le të ma marrin edhe atë ndihmë sociale, le të më japin vend ku mund ta vendos kokën, jam 50 e diçka vjeçar dhe nuk di nga të shkoj, nuk di ku të shkoj për tu ankuar. Personat e autorizuar na ndjekin kur na shohin se flemë nëpër karrige, mendojnë se jemi hajna. Ne duam të jetojmë si çdo qytetar ne Maqedoni, jo vetë unë po të gjithë të pastrehët”.

Ndryshe Bajramov shtoi se ka shumë njerëz që i ndihmojnë personat si ai, por ai kërkon që të respektohet ligji për të pastrehët nga institucionet kompetente ku është ankuar disa herë, por nuk është bërë asgjë.
Sekretarja e Kryqit të Kuq në Shkup Suzana Cuneva Paunovska për TV21 sqaroi se të pastrehët të cilët kanë nevojë për strehim të përhershëm mund të vendosen në Çiçino Selo, ku aplikimi bëhet nëpërmjet qendrës sociale, por disave nuk ju pëlqen ndoshta atje dhe për këtë arsye nuk pranojnë, shtoi ajo. Paunovska tha se për muajin dhjetor, janar dhe shkurt ka pasur dhoma me qira për të pastrehët për shkak të pandemisë.
Ndryshe të pastrehët në punktin Momin Potok mund të marrin të gjitha shërbimet e nevojshme dy herë në javë, ndërsa 24h gjatë dimrit kur edhe mund të flenë për shkak temperaturave të ulëta.