Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, sot realizoi vizitë pune në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, ku u takua me Aneta Simeska Dimoskën, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së inspektoratit.
Qëllimi i vizitës ishte të shihet gjendja rreth zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në funksionimin e inspektoratit. Konstatimi i të dyja palëve është se inspektorati është vonuar në zbatimin e detyrimeve nga faza e parë e zbatimit të ligjit, si ndryshimi i vulës zyrtare, vulat katrore, memorandumi i akteve zyrtare etj. Gjithashtu është e nevojshme që formularët zyrtarë që përdoren në punën e inspektoratit të përgatiten në gjuhët zyrtare në mënyrë që të jenë të harmonizuara me rregullat ligjore.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ekziston vullneti i kryesisë së re të inspektoratit për të respektuar Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe se takimi i tillë është më se i dobishëm, sepse është mundësi për të shkëmbyer qëndrime për çështje të caktuara që rrjedhin nga zbatimi i ligjit.
Drejtori Sela dorëzoi një sërë botimesh dhe ofroi mbështetje për përfshirjen e stafit të inspektoratit në programin e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të zbatuar nga AZGJ-ja, si dhe ndihmë në përkthimin dhe lektorimin e akteve të përgjithshme dhe formularëve, me të cilët vepron inspektorati.
Të dyja palët u zotuan për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në interes të sigurimit të përmbushjes së plotë dhe të përpiktë të detyrimeve ligjore.