Ekipe të mbrojtjes civile në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, kanë njoftuar se të martën kanë fikur zjarrin e shkaktuar nga bombolat e gazit, derisa ambasada amerikane ka paralajmëruar për “sulm të mundshme me raketa apo dronë”.
Siç raporton Reuters, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, nga ky zjarr nuk është lënduar askush e ekipet e specializuara për fikjen e zjarrit, kanë evakuuar ndërtesën dhe zjarri është lokalizuar, transmeton Telegrafi.
Një pjesë e mediave ndërkombëtare ka raportuar për “shpërthimet” në Abu Dhabi, derisa në Twitter qarkullonin pamje nga shpërthimet që i kanë përshkruar sikur janë shkaktuar nga raketat apo dronët.
Kujtojmë që mbrëmë ka ndodhur shpërthimi në rrugën Hamdan në Abu Dhabi, ku po mbahet një ngjarje e madhe sportive.
Agjencia shtetërore e lajmeve VAM, ka raportuar se zjarri është shkaktuar si pasojë e “shpërthimit të bombolave të gazit”. Në video shihet një “top i zjarrtë” në kulmin e një ndërtesës – derisa autoambulancat shihen nëpër rrugë, shkruan AP.
E ky incident ka ngjallur frikë për sulmet të mundshme nga rebelët Houthi, përgjegjës për sulmet me dron në rafineritë e naftës, që rezultuan me tre të vdekur. E javëve të fundit Emiratet e Bashkuara kanë parandaluar disa sulme me raketa në këtë vend.