Takim Kovaçevski – Kunduros: Mbështetje e fuqishme nga Greqia për fillimin e shpejtë të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në
Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot u takua me ambasadorin grek në vend, Rusos Kunduras, i cili ia transmetoi mbështetjen e fuqishme dhe të padyshimtë nga Greqia dhe kryeministrit Krijakos Micotakis për fillimin e shpejtë të bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Siç njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë, në takim janë shprehur urime për zgjedhjen e kryeministrit Kovaçevski dhe Qeverisë së re dhe është konstatuar se ka kushte për avancim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes të dyja shteteve, si në sferën e energjetikës dhe ekonomisë, ashtu edhe në sfera të tjera me rëndësi për qytetarët.
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor janë kontribut në stabilitetin rajonal, mundësi për zbatimin e standardeve evropiane në shtete, ndërsa me këtë edhe zhvillim i rajonit, që shihet si përfitim për të gjithë.
Kryeministri Kovaçevski e falënderoi ambasadorin Kunduros për mbështetjen nga kryeministri grek dhe nga Greqia për progresin e vendit në integrimet evropiane, pas anëtarësimit në NATO.
Zgjidhja e çështjeve politike mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë me Marrëveshjen e Prespës, hapi hapësirë për zhvillim të marrëdhënieve ekonomike. Si shtet, marrim pjesë në projektin energjetik Aleksandropilis, shkëmbimi tregtar me Greqinë është i mirë dhe në këtë drejtim edhe e vazhdojmë bashkëpunimin”, tha kryeministri Kovaçevski.
Në takim, siç bëhet e ditur në kumtesë, është biseduar edhe për çështje të tjera aktuale me rëndësi për të dyja shtetet.