Mandatari Dimitar Kovaçevski, ka në dispozicion edhe pak ditë për ta formuar Qeverinë e re që do ta drejtojë. Pritet që javën e ardhshme, gjegjësisht deri më 11 janar ta dorëzojë në Kuvend listën për kabinetin e ri bashkë me programin për Qeverinë e re. Tashmë dihet se pjesë e përbërjes së re nuk do të jetë zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministrja e Arsimit, Milla Carovska dhe ajo e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. Sheqerinska nuk zbulon se kush mund të vijë në vendin e saj, vetëm thotë se vendimin do ta marrë mandatari i ri.
“Ky është obligimi i mandatarit. Unë i përcolla mendimet e mia se bëhet fjalë për një sektor shumë të ndjeshëm, sektor në të cilin nuk vlejnë vetëm rregullat e brendshme për përgjegjësi, por vlejnë edhe rregullat e NATO-s për përgjegjësi, sektor në të cilin, më besoni, çdo ditë e tregoni pasqyrën lidhur me atë nëse jeni shtet të cilit mund t’i besohet, nëse jeni shtet i cili i qëndron fjalës, nëse jeni partner dhe aleat, fjala e të cilit ka peshë. Mendoj se këtu nuk ka dilema, edhe mandatari e ka të qartë se do të ketë nevojë për një kandidat të tillë, për një ministër të tillë”, tha Radmilla Sheqerinska – Ministre e Mbrojtjes.
Përveç largimeve do të ketë edhe rrokada. Kështu ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq me shumë gjasa do të ulet në kolltukun e zëvendëskryeministrit për eurointegrime. Thuhet se ish-kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov do të jetë ministër i Transportit dhe Lidhjeve. Jozyrtarisht, burime partiake nga “Bihaqka” thonë se nënkryetarja e re e partisë, deputetja Bisera Kostadinova Stojçeva është ministrja e re e Kulturës, duke shtuar se dikasterin – bujqësi do ta menaxhojë zëvendësi i deritanishëm, Trajan Dimkovski. Edhe pse dolën informacione se drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska do të jetë zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit, ajo konfirmoi se do të qëndrojë në krye të DAP-it.
“Kur në periudhën që vijon do të përfundojë formimi i ekipit të kabinetit qeveritar, sigurisht se opinioni publik do të informohet. Ky vendim do të sillet në nivel të udhëheqësisë së partisë”, tha Sanja Llukarevska – Drejtoreshë e DAP-it.
Ku do të jeni Ju?
“Aty ku jam tani”, shtoi Llukarevska.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, Alternativës do t’i takojë tre ministri, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë ku do të vijë Bekim Sali, Ministria e Shoqërisë Informatike në krye me Admirim Aliti, dhe Ministria pa resor përgjegjëse për diasporë nën udhëheqjen e Xhemail Çupin. Poste do të marrin edhe partnerët më të vegjël të koalicionit të LSDM-së.
Opozitarja VMRO-DPMNE nuk pret asgjë të re nga Qeveria e re.
“Ajo që mund të dëgjohet në opinion si emra, është se listën që graviton në opinionin publik e ka përpiluar Zoran Zaev, kurse Koveçevski është këtu vetëm për ta zbatuar atë që Zoran Zaevi ka planifikuar dhe ua ka premtuar disa njerëzve, në mënyrë që t’i realizojë qëllimet e tij personale. Bëhet fjalë për një përbërje e cila duhet ta mbrojë zaevizmin”, potencoi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Pritet Qeveria e re të votohet më 16 janar, e cila do të duhet të ballafaqohet me shumë sfida siç janë kriza ekonomike dhe energjetike, pandemia me virusin Covid-19, kurse detyra e saj e parë do të jetë që të mbajë takim me Qeverinë e re të Bullgarisë për zgjidhje të çështjeve të hapura.