Sali: Të gjitha kapacitetet janë në funksion, ndërsa punonjësit shëndetësorë e japin potencialin e tyre për t’ju ndihmuar të sëmurëve
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se sot e ka vizituar qendrën për Kovid në Klinikën e Lëkurës dhe të sëmurëve u dëshiroi rikuperim sa më të shpejtë.“Dëshiroj të potencoj se të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion, ndërsa punëtorët shëndetësorë janë duke e investuar të gjithë potencialin e tyre që t’u ndihmojnë të sëmurëve. Dëshiroj që fotografitë që i shohim me qytetarë që luftojnë me virusin dhe pasojat prej tij të mos i shohim në të ardhmen. Besoj se të gjithë qytetarët na mbështesin në këtë. Dëshiroj të bëj apel se vaksinimi ka rëndësi të madhe në uljen e pasojave të virusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Vaksinohuni! Pikërisht me këtë dhe me respektimin e të gjitha masave të kujdesit, jo vetëm që do ta ndërprisni përhapjen e virusit, por edhe do ta ulni presionin ndaj punëtorëve shëndetësorë që punojnë pa u lodhur që të na mbajnë të sigurt”, shkroi Sali.
Vetëm të bashkuar, potencon ministri, do ta mundim armikun e përbashkët – pandeminë.“E vërteta është e thjeshtë: askush nuk është i sigurt derisa nuk janë të sigurt të gjithë. Ndihmoni, mbështeteni vaksinimin, që ta kthejmë jetën të tillë siç dëshirojmë të jetë”, shkroi Sali