Reagon LSDM ndaj deklaratave të Arsovskës: E paafta Danella ka lënë të vetëm shkupjanët, nuk ka ngrohje qendrore, NQP në kaos, para ka vetëm për punësime partiake
“E paafta Danella ka lënë të vetëm shkupjanët, nuk ka ngrohje qendrore, NQP në kaos, para ka vetëm për punësime partiake”.
Kështu ka nisur reagimi i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë ndaj intervistës së të parës së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në ClickPlus në TV21.
“Pas intervistës së sotme të gjithëve u është bërë qartë si kristali: paaftësia e kryetares së VMRO-DPMNE-së, Danella Arsovska është në pah. Danella ka lënë të vetëm shkupjanët në mes të krizës energjetike globale. Publikisht pranoi se nuk ka paraparë asnjë denarë për të ndihmuar qytetarët. Radiatorët e ftohtë nuk i interesojnë. Papërgjegjësi, por ironike, Danella thotë se nuk mban përgjegjësi dhe krahasohet me Qeverinë e udhëhequr nga LSDM se do t’u ndihmojë shkupjanëve, e njëjta Qeveri që e kritikon çdo ditë”, thuhet më tej në reagim.
Nga LSDM premtojnë se “Qeveria nuk do t’i lë shkupjanët pa ngrohje qendrore”, megjithatë kritikojnë Arsovskën se “në intervistë tregoi qartazi se nuk ka asnjë projekt dhe se nuk ka zgjidhje për asnjë problem”.
“Sigurisht se Qeveria nuk do të lejojë që shkupjanët të mbeten pa ngrohje qendrore pëe shkak të Danellës së paaftë”, thanë mes tjerash nga LSDM.
“Arsovska, nuk ka para për ngrohjen e shkupjanëve, nuk ka para për NQP-në e cila është në kaos për shkak të anulimit të transportit të shpejtë, nuk ka para për mjedisin jetësor, nuk ka para për ajër të pastër. Vetëm për punësimet partiake të kuadrove të VMRO-DPMNE-së, Danella ka 670.000 euro”, thanë më tej nga LSDM.