Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe mënyra e zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë kanë krijuar “përplasje” në koalicionin e sapoformuar qeveritar në Bullgari.
Tri parti nga koalicioni 4-anëtarësh janë distancuar nga qëndrimet e Slavi Trifonov, i cili në rrjetet sociale u ka vendosur kusht SHBA dhe BE-së, në mënyrë që Sofja t’i zhbllokojë negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me Brukselin.
“Duke qenë se amerikanët aq shumë e dëshirojnë Maqedoninë e Veriut në BE, qytetarët e Bullgarisë, si qytetarët nga shumica e vendeve të BE-së, le të mos kenë nevojë për vizë që të mund të shkojnë në Amerikë. Dhe e dyta, duke qenë se jemi anëtare me të drejta të plota në BE, Bullgaria menjëherë duhet të jenë anëtare e zonës së Shengenit. Aman nga pritja”.
Zona Shengen dhe Maqedonia e Veriut janë dy tema të ndryshme, çështjet në politikën ndërkombëtare nuk duhet të lidhen në këtë mënyrë, reagoi kryetari i partisë “Vazhdojmë me ndryshimet”, Andrej Gjurov.
“Ne kemi strategji si të udhëhiqen negociatat, në nivel shumë më intensiv, në bazë më të gjërë, jo vetëm në drejtim të së kaluarës historike. Me qëllim që në këtë mënyrë të ndihmojnë të afrohen pozicionet tona duke e ruajtur Marrëveshjen për fqinjësi të mire”.
Udhëheqës i lartë në partinë “Bullgaria demokratike”, komentet e Trifonov i ka vlerësuar si ironi, duke shtuar se partia e tij nuk e mbështet.
“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është temë e rëndësishme, duhet të sillemi seriozisht dhe t’i mbrojmë interesat tona kombëtare”.
Qëndrim të ngjajshëm ka edhe Zv/kryetari i Kuvendit Popullor në Sofje, Kristian Vigenin, i cili thotë se tema për Maqedoninë e Veriut është një nga sfidat më të mëdha për Bullgarinë dhe për këtë arsye “parapëlqen që deklaratat e improvizuara dhe të parakohshme të jenë në minimum”.
Në prag të ripërtërirjes së negociatave, në mes Kryeministrave dhe Qeverive të reja në Sofje dhe në Shkup, angazhime për zhbllokim të shpejtë të negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërise me BE-në, në më shumë drejtime kanë shprehur përfaqësues të BE-së, por edhe të Shteteve të Bashkuara.