“Shkupi lejon hapjen e Kushtetutës për bullgarët”, “Kovaçevski e la derën hapur”, “Bullgarët hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut”, kështu thonë disa tituj në mediat e Sofjes, pas vizitës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Në këtë përfundim erdhën pas deklaratës së Kovaçevskit, se çdo komunitet mund të kërkojë përfshirjen në Kushtetutë, pasi ndryshime kushtetuese do të ketë para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kryeministri nuk ishte i prerë nëse dhe kur do të hynin bullgarët në Kushtetutë. Ai shtoi se për ndryshimin e Kushtetutës nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Kjo çështje është një nga kërkesat kyçe bullgare për zhbllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, dhe së fundi e ka përsëritur edhe presidenti bullgar Rumen Radev, i cili theksoi se kjo ide po piqet në Shkup.
Tani, në opinionin bullgar ka lindur dilema nëse Maqedonia duhet ta përmbushë këtë kërkesë para fillimit të negociatave me Brukselin, apo para anëtarësimit në BE?
“Çështja kryesore është se kur do të ndodhë përfshirja e bullgarëve, si pjesë e popujve që formojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut. Pa dyshim se duhet të ketë garanci të qarta se kjo do të ndodhë brenda një kohe të arsyeshme”, deklaroi Naum Kajçev – anëtar i Komisionit të Përbashkët të Historisë.
Në një konferencë për media, kryeministri Kovaçevski tha dje se një marrëveshje me Sofjen do të arrihet duke krijuar një kornizë të saktë kohore, që do të mbulonte të gjitha çështjet e hapura politike. Paraardhësi i tij Zoran Zaev, gjatë vizitës së tij të fundit në Bullgari theksoi se bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë, së bashku me kroatët, por përpara anëtarësimit në BE. Njëkohësisht, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kishte thënë se bullgarët duhet të përmenden në Kushtetutë si bashkësi e veçantë etnike, nëse kjo për ta është e rëndësishme. Ai përmendi edhe përfshirjen e malazezëve në Kushtetutë. Këtë qëndrim të fundit e ka konfirmuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, për të votuar “pro”, kërkojnë reciprocitet, pra të njihet minoriteti maqedonas në Bullgari. Petkov theksoi se kjo çështje nuk është ngritur në takimin me kryetarin e partisë, Hristijan Mickoski.
A do të mbështeste ai bullgarët të hyjnë në Kushtetutë? A do të votonin deputetët e VMRO-DPMNE-së?
“Aktualisht jemi duke u fokusuar në ekonomi, infrastrukturë dhe kulturë. Ne thamë që të gjitha çështjet e tjera do tua japim grupeve të punës, që ti punojnë”, u përgjigj Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.
Në anën tjetër, derisa kërkohet përfshirja e bullgarëve të Maqedonisë në Kushtetutë, nga Villa Vodno për Alsat konfirmuan se presidenti Stevo Pendarovski të premten në mesditë do të takohet me maqedonasit e Bullgarisë, të bashkuar në organizatën joformale “OMO Ilinden Pirin”.