Mbi 46,4 milionë euro nga pagesat rrugore vitin e kaluar

Vitin e kaluar Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka realizuar të ardhura vjetore prej 46,4 milionë euro vetëm nga pagesat rrugore. Kjo është për 2,8 milionë euro me shumë në krahasim me vitin 2019 para pandemisë, e për 12,1 milionë euro më shumë në raport me 2020-tën, kur vendkalimet kufitare ishin të mbyllura deri në gjysmën e dytë të majit.

TË ARDHURAT E NP “RRUGËT SHTETËRORE”
-2019 – janë realizuar të ardhura prej 2.681.866.666 denarëve (ose 43,6 milionë euro)
-2020 – janë realizuar të ardhura prej 2.092.9818.055 denarëve (ose 34.029.562 milionë euro)
-2021 janë realizuar të ardhura prej 2.853.668.980 denarëve (ose mbi 46,4 milionë euro)

“Kemi rritje të konsiderueshme të të ardhurave si Ndërmarrje për Rrugët Shtetërore edhe atë nga: pagesat rrugore, nga regjistrimi i automjeteve 2,1 miliardë denarë, 20% nga akciza e naftës dhe derivatet e naftës- 4,5%, që i bie gjithsej rreth 10 miliardë denarë”, tha për TV21, drejtori i NP “Rrugë Shtetërore”, Ejup Rustemi.

Nga këto të ardhura, 50% janë të dedikuara për pagesë të kredive, 1,9 miliardë denarë shkojnë për NP “Rrugët e Maqedonisë” për mirëmbajtje të rrugëve rajonale dhe magjistrale, kurse 3,1 miliardë denarë mbesin për mbulim të shpenzimeve të tjera dhe realizim të investimeve.

“Për mënyrën në të cilën mirëmbahen ato, qoftë autostradat, qoftë rrugët rajonale apo magjistrale përgjegjëse është edhe Ndërmarrja tjetër publike, “Rrugët e Maqedonisë”. Çdo vit kemi program të veçantë me këtë Ndërmarrje, edhe ajo është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve. Kuptohet se të gjithë ne, përfshirë edhe mua, nuk jemi 100% të kënaqur nga të gjitha rrugët që i kemi, por kemi vizion dhe presim që gjendja e këtyre rrugëve të përmirësohet këtë vit me qëllim që të kemi siguri sa më të madhe për qytetarët”, shtoi Ejup Rustemi – Drejtor i NP “Rrugë Shtetërore”.

E pyetëm drejtorin – çka bën NP “Rrugët e Maqedonisë” që të ofrojë siguri më të madhe në rrugë, por ai ishte i pakapshëm në telefon. Vitin e kaluar, mbi 25% e mjeteve të përgjithshme janë realizuar përmes pagesës elektronike në Korridorin 10.

“Pagesat e reja rrugore në autostradën Milladinovci-Shtip pritet të lëshohen në përdorim në prill të këtij viti. Sigurisht se kemi projekt edhe për Korridorin 8, që do të thotë se do të kemi shërbim të njëjtë për pagesë elektronike”, potencoi për TV21, drejtori i NP “Rrugë Shtetërore”, Ejup Rustemi.

Pritshmëritë e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për këtë vit janë të realizojë të ardhura prej mbi 50 milionë euro, të vendosen në funksion edhe pikat pagesore te Preod dhe Kadrifakovë në autostradën Shkup-Shtip, dhe të instalohet sistem elektronik për pagesë në të gjitha pagesat ekzistuese rrugore të Korridorit 8.