Lidhja Demokratike kërkon nga gjykata më e lartë në vend të vlerësojë kushtetutshmërinë e Kodit Zgjedhor, shkruan Alsat.
Pavle Trajanov kërkon që Kushtetuesja të shqyrtojë nenet sipas tij kontestuese dhe jo demokratike mbi ndarjen e mjeteve financiare për reklama dhe hapësirën programore të partive politike.
“Katër partitë politike, dy nga pushteti dhe dy nga opozita kanë monopol ndaj gjithë procesit zgjedhor, posaçërisht në shfaqjen e programeve zgjedhore dhe partiake, kandidatëve për këshilltarë dhe kryetarë komunash, deputetëve duke përfshi edhe kandidatët për kryetar shteti”, deklaroi Pavle Trajanov, Kryetar i Lidhjes Demokratike.
Lidhja Demokratike dhe disa parti të tjera kërkojnë edhe ndryshimin e modelit zgjedhor, me një njësi dhe pa prag zgjedhor. Në rast se nuk miratohet ky ndryshim, Trajanov do të shqyrtojë mundësinë e mospjesëmarrjes në Qeverinë e ardhshme.
“Kur të krijohen kushtet në Kuvend të fillojë debati parlamentar dhe kjo përbën njërin ndër kushtet kryesore nëse do ta mbështesim Qeverinë e re ose jo”, tha Pavle Trajanov, Kryetar i Lidhjes Demokratike.
Lidhja Demokratike konteston nenet që rregullojnë mbulimin mediatik në fushatë zgjedhore, ndarjen e mjeteve financiare, ndarjen e hapësirave reklamuese në hapësira publike dhe vendosje e billboredeve dhe panove reklamuese zgjedhore. /Alsat.mk