Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se përgjigjja që SHBA-ja dha ndaj tyre për çështjet e sigurisë nuk është pozitive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lavrov në një deklaratë lidhur me përgjigjen me shkrim të SHBA-së për propozimet e Rusisë për sigurinë tha se: “Në dokument ka përgjigje premtuese se do të fillojnë konsultime serioze lidhur me çështjet në plan të dytë. Nuk ka asnjë reagim pozitiv për çështjen më të rëndësishme në dokument”.
Ai tërhoqi vëmendjen se mos-zgjerimi i NATO-s drejt lindjes përbën rëndësi për Rusinë.
“Në propozimet tona ka dy qasje të rëndësishme të ndërlidhura me njëra tjetrën. E para, njihet e drejta që çdo shtet të zgjedhë në mënyrë të lirë aleancën ushtarake. Ndërsa e dyta, çdo shtet ka detyrimin që të mos forcojë sigurinë e tij në dëm të sigurisë së tjerëve. Për këtë parim nuk flitet qëllimisht”, tha Lavrov.
Sipas tij, Perëndimi ka vepruar “dinakërisht” në këtë çështje. Lavrov potencoi se kanë analizuar përgjigjen e ardhur nga SHBA-ja.
Lidhur me çështjen nëse do të ndahet apo jo me opinionin publik kjo përgjigje, Lavrov tha: “Mendoj se opinioni publik do të mësojë së shpejti përmbajtjen e përgjigjes. Kolegët tanë amerikanë na thanë se për përgjigjen kanë rënë dakord me të gjithë aleatët dhe palën e Ukrainës. Nuk ka dyshim se përgjigjet do të rrjedhin së shpejti”.
– “Edhe nga NATO kemi marrë përgjigje për propozimet e sigurisë”
Kryediplomati rus theksoi se edhe nga NATO kanë marrë përgjigje për propozimet e tyre të sigurisë. “Që të dy dokumentet i shohim si një e tërë. Këto përgjigje do t’ia paraqesim si raport presidentit të Rusisë, Vladimir Putin pasi të konsultohen ndërmjet institucioneve. Për hapat tanë të ardhshëm do të vendosë Putini”, tha ai.