Amvisëritë dhe kompanitë në Kumanovë që përdorin gaz nga ky muaj do të paguajnë fatura më të larta për mbi 200 për qind. Në vend se 25 denarë për metër kub sa ishte vitin e kaluar, tan, gazin do ta paguajnë 80 denarë. Kjo rritje e madhe e çmimeve është për shkak të krizës globale, kështu që furnizimi i ri me gaz të NP “Kumanovo-gas” ka kushtuar dy herë më shumë në krahasim me vitin paraprak, transmeton Portalb.mk.
“Kjo nuk varet nga ne, e tillë është kjo është situata në të gjithë vendin dhe në Evropë. Deri më tani gazin e shisnim 25 denarë për metër kub, ndërsa tani do të jetë 80 denarë. Qytetarët u ankuan se është shtrenjtë me çmimin e mëparshëm. Nëse dikush ka shpenzuar 100 metra kub në muaj dhe ka paguar 2500 denarë, tani do të duhet të paguajë 8000 denarë. Për rritjen i kemi njoftuar konsumatorët dhe ata do të vendosin nëse do ta përdorin apo jo”, tha drejtori i NP “Kumanovo-gas” Nikolla Denkovski.
Në Kumanovë ka 400 persona fizikë dhe juridikë përdorues të gazit, ndërsa komuna dhe ndërmarrja publike në vitet e kaluara kanë subvencionuar kyçjen për qytetarët, për shkak të përfitimeve financiare dhe mjedisore. Në gazifikim janë lidhur më shumë institucione publike, shkolla, kopshte dhe institucione të tjera shtetërore e komunale, për të cilat rritja e çmimit të gazit do të jetë një goditje për buxhetin e tyre.
Ndërmarrja ka siguruar gaz vetëm për një muaj, ndërsa ka ekzistuar rreziku që të mbetej edhe pa atë sasi dhe t’i linte konsumatorët pa energji, nëse furnizuesi në vend nuk e ka marrë porosinë nga tregu rus.
“Kishim njoftim nga kompania ‘Prom-gas’, nga 1 janari, klientët tanë të kërkojnë zgjidhje alternative për ngrohjen, pasi nuk do të dorëzojnë as sasi minimale. Në momentin e fundit, më 31 dhjetor, arritëm të merrnim gaz vetëm për janarin. Kemi kërkuar 130 mijë metër kub gaz në shtator dhe kemi marrë vetëm 90 metër kub. Sipas njoftimeve të tregtarëve, pritet që në periudhën e ardhshme të stabilizohet oferta në tregun botëror dhe gradualisht të kthehen çmimet e vjetra. Le të shpresojmë se do të jetë kështu”, tha Denkovski.
Ai konsideron se sasitë e blera do të zgjasin më shumë se një muaj, pasi çmimi i lartë do të ulë konsumin e gazit. Rrethanë lehtësuese është se shkollat nuk po punojnë për shkak të pushimeve dimërore, ndaj edhe këtu do të kursejnë.