Kovaçevski do të jetë kryeministri i tetë që do të mbështetet nga Ali Ahmeti

Për ditëlindjen e tij të 63-të, lideri i BDI-së mori një tortë në formën e numrit 8.

Ali Ahmeti është prezent në skenën politike që nga janari i vitit 2001, kur filloi konflikti mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë maqedonase, dhe pas zgjedhjeve të 15 shtatorit 2002, ai u bë kryetar i partisë BDI dhe partneri i pashmangshëm i çdo kryeministri që drejtonte qeverinë.

Branko Crvenkovski ishte kryeministri i parë që erdhi në pushtet me mbështetjen e BDI-së dhe Ali Ahmetit,shkruan Fokus, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Hari Kostov ishte kryeministri i DYTË që u zgjodh me votat e deputetëve të BDI-së.

Vllado Buçkovski ishte kryeministri i TRETË që u ul në karrigen e rehatshme pasi deputetët e BDI-së e votuan për të.

Në dy raste, para zgjedhjes së Kostovit dhe para zgjedhjes së Buçkovskit, që zgjatën disa javë, Radmila Shekerinska sipas detyrës zyrtare si zëvendëskryeministre ishte ushtruese e detyrës së kryeministres por asnjëherë nuk u votua në Kuvend për kryeministre.

Nikolla Gruevski në mandatin e parë nga viti 2006 deri në vitin 2008 si partner i bllokut shqiptar kishte PDSH-në, por pas zgjedhjeve të vitit 2008 u bë kryeministri i KATËRT që ishte në aleancë me Ali Ahmetin.

Emil Dimitriev u zgjodh kryeministër i pestë i cili mori mbështetje nga deputetët e BDI-së.

Zoran Zaev ishte kryeministri i gjashtë i cili në dy raste (2017 dhe 2020) mori mbështetje nga BDI për të udhëhequr qeverinë.

Oliver Spasovski ishte njeriu i SHTATË që mori (ndër të tjera) vota nga deputetët e BDI-së gjatë zgjedhjes së tij për kryeministër.

Më në fund, kur të zgjidhet Dimitar Kovaçevski, ai do të bëhet kryeministri i TETË, i cili e ka marrë atë pozitë falë mbështetjes së BDI-së për Ali Ahmetin.

Prandaj edhe torta unike e ditëlindjes në formën e numrit Tetë, të cilën Ali Ahmeti e ka marrë si dhuratë nga partiakët e tij pak ditë më parë, duket mjaft interesante.

Me sa duket ka qenë për nder të “Korridorit 8”, por kush e di, mbase ai numër ka një kuptim tjetër?