Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski mëngjesin e sotëm në telefon ka biseduar me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe janë pajtuar për një takim që do të mbahet së shpejti.
“Ne ramë dakord që në periudhën e ardhshme të organizojmë një takim. Ai takim mund të ndodhte edhe më herët, por për shkak të agjendës së ngjeshur në Qeveri dhe për shkak se dy sekretarët e LSDM-së ishin në izolim për shkak të infektimit me virus, sot filluam ta organizojmë atë takim dhe do të ndodhë shumë shpejt, sepse është e natyrshme dhe normale që dy partitë më të mëdha të komunikojnë me njëra-tjetrën”, tha Kovaçevski në një intervistë për “RTVM”.
Ai tha se në takim do të diskutohen sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohet Maqedonia, përkatësisht kriza shëndetësore dhe energjetike si dhe ajo e ngrohjes, për reformat në shoqëri, përfshirë reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Ky do të jetë takimi i parë i Kovaçevskit me Mickoskin, pas marrjes së postit të kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së.