Bytyqi: Rritja e standardit të jetesës prioriteti më i lartë i Qeverisë, paga minimale do të vazhdojë të rritet
Perceptimi i qytetarëve se jeta është më e vështirë është për shkak të ndikimit dyvjeçar që ndikon në fushën ekonomike dhe shëndetësore, e më pas në aspektin energjetik. Janë edhe nevojat për kënaqjen e familjeve me ushqim, ku ka pasur një rritje të çmimeve, që nuk është produkt i ekonomisë së tregut, por i sjelljes së aktorëve në ekonominë e tregut, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ai në emisionin “Magazina ekonomike”, në televizionin Alsat porositi se përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve është një nga prioritetet më të larta të Qeverisë, “ndërsa ai vjen përmes pagave dinjitoze të qytetarëve”.
Bytyqi shtoi se Qeveria, sindikatat dhe shoqëria civile janë në të njëjtën anë sa i përket pagave, por kriza energjetike, kriza ekonomike dhe situata politike nuk lejuan që paga minimale të rritet në dhjetor, por rritje të pagës minimale do të ketë në periudhën e ardhshme.
“Në vitin 2016 paga minimale ka qenë 9.000 denarë ose 38% e mesatares, në fund të dhjetorit 2021 paga mesatare është 29.145 denarë, rreth 1.000 denarë nga premtimi për 500 euro paga mesatare përkundër krizës dyvjeçare, dhe paga minimale në nëntor 2021 është 15.145 denarë dhe është në nivelin 52,2% nga paga mesatare. Dhe ky është një nga treguesit që ndikon në uljen e varfërisë”, tha Bytyqi.
Për katër vite, theksoi zëvendëskryeministri , pjesëmarrja e pagës minimale në pagën mesatare është rritur për 14 pikë procentuale.
“Premtimi për rritjen e pagës minimale në programin qeveritar dhe kërkesa e sindikatave për ngritjen e pagës minimale në 18.000 denarë, mbeten prioritete të larta të Qeverisë së re, por sigurisht që mbesim të mendimit që të gjitha ndërhyrjet në paga të bëhen përmes Këshillit ekonomiko-social, pra përmes dialogut me të gjithë partnerët social, që të kemi zgjidhje të qëndrueshme”, theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi dhe tha se me këtë rritje paga minimale do të ishte rreth 58-59% e pagës mesatare në vend, që është një nga kërkesat sindikale dhe kërkesat e punëtorëve.
Sipas tij, lufta kundër varfërisë nuk kërkon vetëm ndërhyrje nga shteti, por një qasje gjithëpërfshirëse, tha zëvendëskryeministri, duke shtuar se në këtë drejtim po punohet për hartimin e Strategjisë kombëtare të zhvillimit, si një dokument sistemik që duhet të përgjigjet në mënyrë të gjithanshme se si do të përballemi si shtet me varfërinë, e që është një proces afatgjatë.
“Gjithashtu, me reformën sociale që kemi zbatuar, kemi ndihmuar në uljen e nivelit të varfërisë dhe nëse nuk do ta kishim ndërmarrë këtë reformë, tani në një kohë pandemie do të flisnim për një shkallë varfërie shumë më të lartë se sa është tani. Për momentin kemi rreth 35.000 përfitues të të ardhurave minimale të garantuara prej 12.000 denarë, për dallim nga rreth 80.000 persona që më parë kanë marrë ndihmë sociale prej tre deri në katër mijë denarë, me të cilët është vështirë të kalohen disa ditë. Të ardhurat minimale të garantuara janë ndihma financiare për kategori të caktuara, për të përballuar tregun e punës, për t’u bërë punëkërkues aktivë dhe për të gjetur një punë të përshtatshme. Të mos anashkalojmë faktin se me ndihmën e masave të ndihmës ekonomike gjatë pandemisë. Qeveria ka arritur të shpëtojë rreth 60.000 vende pune, gjë që është konfirmuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Bytyqi.
Lidhur me krizën energjetike, zëvendëskryeministri përkujtoi se Qeveria vitin e kaluar e uli TVSH-në e energjisë elektrike nga 18 në 5 për qind, ndërsa tani do të pasojnë masa të reja, e para prej të cilave është subvencionimi prej 600 deri në 800 denarë në muaj për faturat për energji elektrike për 7.500 familje me të ardhura të ulëta.