Autobusi i Besa Transit mund të ketë marrë flakë gjatë frenimit. Kështu thotë për Alsat profesori universitar, Stoimko Zlatkovski, nga Fakulteti Teknik i Manastirit.
Sipas tij, gjatë frenimit në tatëpjetë, siç ka ndodhur me autobusin, ka mundësi që të ketë lëshuar shkëndija në vetë rrotën.
“Gjatë frenimit me këmbë ndodh nxehje e rregullt, fërkim mes frenave dhe pllakave e diskut pas çka paraqitet temperaturë… Kjo temperaturë transferohet në pjesën ku gjendet goma, goma e brendshme ose e jashtme. Dhe këtu, shpesh, rregullisht vjen deri te shpërthimi”, deklaroi Stoimko Zlatkovski, profesor universitar.
Prokurorët bullgarë për aksidentin kanë bërë fajtor shoferin.
“Arsyeja është humbja e kontrollit të autobusit nga shoferi dhe shpejtësia e lartë, shpejtësia jo e përshtatshme, por jo edhe e tejkaluar”, deklaroi Boris Sarafov, Prokuror.
Bullgaria tani duhet t’ua dorëzojë familjarëve gjësendet e vdekurve. Njëri prej tyre u ankua se i afërmi i tij mbante në autobus ar në vlerë prej 7000 euro. Ndonëse hetimet në Bullgari kanë përfunduar, në vendin tonë Prokuroria po kryen ende hetimet paraprake për punën e agjencisë “Besa Trans”.
“Po sigurohet dhe analizohet i gjithë dokumentacioni dhe shqyrtohen në detaje të gjitha rrethanat përkatës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Autobusi i Besa Transit ka kaluar kufirin e shtetit mbi 100 herë pa leje të duhura për transportin e pasagjerëve. Kompanisë tashmë i janë marrë licencat e transportit dhe ajo e turizmit. Autobusi i djegur në tetor të vitit të kaluar është kontrolluar në qendrën teknike “VIA Komerc Xhemal” në Shkup. Por, edhe kjo kompani ka punuar me parregullsi. Këtë e kanë konstatuar zyrtarët policorë në gusht të vitit të kaluar dhe e kanë njoftuar ministrin Oliver Spasovski. Ai, nga ana tjetër, vetëm tre ditë pas aksidentit, ka urdhëruar “VIA Komerc” që të mos punojë përkohësisht. Edhe sot nuk ka përgjigje nga MPB-ja, pse ministri priti tre muaj për të marrë një vendim të tillë. Aksidenti ndodhi vitin e kaluar më 23 nëntor. 45 qytetarë tanë humbën jetën dhe shtatë u lënduan.