Disa qindra të evakuuar afganë, disa prej të cilëve shihen si shqetësim sigurie, ende banojnë në një bazë të NATO-s në Kosovë, ku po mirëpriten nga personeli amerikan, thanë disa zyrtarë qeveritarë këtë javë.
Shumica e rreth 200 të evakuuarve në Kampin Bondsteel në Kosovë janë anëtarë të familjes së dikujt që është në proces të marrjes së vizës, tha një burim qeveritar i cili ishte i paautorizuar të komentonte mbi të dhënat, por ishte i njohur me situatën.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden pranoi se disa nga ata në Camp Bondsteel u identifikuan si shqetësim për sigurinë gjatë verifikimit.
“Fakti që disa njerëz janë identifikuar si të rrezikshëm nga profesionistët tanë të antiterrorizmit, inteligjencës ose zbatimit të ligjit për ekzaminim shtesë, tregon se sistemi ynë po funksionon”, tha zyrtari i administratës, i cili ishte i paautorizuar të fliste në procesverbal.
Politikanët amerikanë kanë shprehur frikën se disa nga 120,000 personat që janë nxjerrë nga Afganistani janë kërcënime të sigurisë ose të lidhur me grupe të dhunshme si Talibanët ose Shteti Islamik.
Rreth 69,000 të evakuuar afganë u transportuan në bazat në Evropë dhe Lindjen të Mesme për kontroll të sigurisë, ku shumica u dërguan më pas në bazat në SHBA, me një numër më të vogël të zhvendosur në Kosovë.
“Disa nga ata, rastet e të cilëve kanë pasur nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Kampi Bondsteel prej 955 hektarësh, i vendosur në Kosovën qendrore, strehon rreth 1000 trupa nga SHBA, Turqia, Polonia dhe Letonia.
Këto trupa janë pjesë e një force paqeruajtëse afatgjatë në vend, e cila përfshin elementë nga 11 Garda Kombëtare të shtetit, si dhe trupa rezervë të ushtrisë dhe trupa aktive.
Në kamp,zyrtarët qeveritarë shqyrtojnë të dhënat e tyre dhe i çojnë të evakuuarit drejt “pranimit eventual në Shtetet e Bashkuara ose zhvendosjes në një vend të tretë”, tha zëdhënësi.
Ushtria amerikane dislokoi trupa në Kosovë për të punuar me Ambasadën Amerikane në Prishtinë në një përpjekje të quajtur “Task Force Ever Vigilant”, thuhet në një deklaratë të Ushtrisë në shtator. Përpjekja çoi në një kontratë për të mbështetur 1200 të evakuuar afatgjatë, tha një deklaratë e ushtrisë amerikane më 21 dhjetor.
Afganët vazhdojnë të largohen nga baza për t’u nisur drejt Amerikës, tha zëdhënësi, i cili nuk iu përgjigj pyetjes vijuese se cilat vende janë të gatshme të pranojnë ata që nuk sillen në SHBA.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.