Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me selam për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai i pyetur për dorëheqjen e tij të mundshme nga kreu i partisë tha se nuk do të lë partinë pa kryetar, shkruan TetovaSot. Sela tha se vijon organizimi i Kongresit të partisë dhe se pritet që gjatë pranverës të merren vendime konkrete.
“Dhënja e dorëheqjes time në këtë situatë do ta linte partinë pa kreun e partisë. Zhvillime politike ka, dhe unë assesi nuk do bëja lojën e atyre që nuk i dëshirojnë të mirën Aleancës për Shqiptarët, dhe këto janë oponentët politikë. Këtë pjesë të përgjegjësisë unë jam i detyruar që ta gëlltis dhe të vazhdoj si kryetar partie deri në kongresin e ardhshëm, pastaj janë çështje të cilat kongresi do të sjelle vendimet, që sipas gjitha gjasave do të mbahet diku nga pranvera”, tha mes tjerash Sela.
Ndërkaq, rrugën e Ziadin Selës nuk e ndoqi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili dha dorëheqje nga posti i Sekretarit të përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët.
Taravari dha dorëheqje si pasojë e rezultatit të dobët zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale, në të cilat ASH, së bashku me ish-partnerin e koalicionit Alternativa, vunë re një rënie drastike të mbështetjes.
Taravari ka theksuar se partia ka nevojë për rifreskim kuadrosh me të rinj dhe njëri prej tyre duhet ta pasojë atë si operativ i parë partiak./TetovaSot