Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj informacionit se në Strugë është konfirmuar rasti i parë me omikron.
Thonë se tre pacientë nga Struga, Velesi dhe Prilepi kanë treguar indikacione për variantin omikron, por që të njëjtëve nuk u është kryer sekuencimi i virusit SarsCoV2.
Kjo nënkupton se ende nuk është kryer analiza e cila vërteton se të njëjtit janë të infektuar me variantin omikron.
“Deri tani në testet PCR të tre pacientëve pozitivë në Kovid-19, është detektuar S-gene dropout, por nuk është realizuar sekuencim, gjegjësisht nuk ka konfirmim se janë të infektuar me omikron. Testet u janë bërë në spital privat kurse bëhet fjalë për pacientë nga Prilepi, Velesi dhe Struga”, qëndron në njoftimin e MSh-së, transmeton TV21.
Shtojnë se pacientëve u është kryer anketë epidemiologjike dhe janë vendosur në izolim ata dhe personat me të cilët kanë qenë në kontakt.
Apelojnë të mos jepen deklarata paushalle.
“Ministria e Shëndetësisë apelon që të përmbahemi nga dhënia e deklaratave paushalle dhe informacioneve të paverifikuara të cilat i fusin qytetarët në huti dhe shpërndajnë panik në popullsi”, thuhet në reagim.
Nga MSh kanë kujtuar se deri më tani me sekuencim të virusit SarsCoV2 është detektuar varianti Omikron vetëm te një pacient i cili në shtet ka ardhur nga Britania e Madhe.
Sqarojnë se konfirmimi i pranisë së variantit të virusit SarsCov2 kryhet vetëm dhe ekskluzivisht me sekuencim, ndërkaq testi PCR, gjegjësisht detektimi i S-gene dropout mund të jetë vetëm indikacion, por jo edhe vërtetësi se pacienti është i infektuar me variantin omikron të Kovid-19.