Qytetarët e Shkupit prej disa ditësh po thithin ajër të ndotur, pasi stacionet e matjes në Shkup regjistrojnë shifra të larta të grimcave PM10. Nga LSDM fajësojnë kryetaren e Shkupit, Danela Arsovska, për mosveprim, ndërsa kritikojnë se me shkurtimin e buxhetit për mjedisin jetësor, gjendja me ndotjen e ajrit në kryeqendër do të përkeqësohet.
“Në vend që të rrisë paratë për mjedisin kryetarja, Danela Arsovska, i zvogëlon edhe atë në tre herë më pak. Arsovska në fushatën e saj premtoi investime në mjedis dhe luftë kundër ndotjes së ajrit, por qytetarët shohin se nuk ka asgjë nga kjo. Me këtë qasje të Arsovskës, Shkupi për një kohë të gjatë do të jetë në krye të qyteteve më të ndotura në botë.”,- thonë nga LSDM.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare fajësojnë pushtetin qendror për mosndërtimin e sistemit të gazifikimit, projekt i cili sipas tyre do të ndikonte dukshëm në cilësinë e ajrit.
“Shkupi është në listën e qyteteve më të ndotura në botë sepse qeveria nuk ka bërë asgjë për gjysmë dekade për ta ndryshuar këtë. LSDM ka 5 vjet që është në pushtet dhe 5 vite nuk ka asnjë projekt që do të zvogëlonte ndotjen dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në Shkup dhe qytete të tjera. LSDM kishte mundësi si pushtet qendror, por nuk bëri asgjë për të përfunduar gazifikimin. Aty ku u ndal projekti me qeverinë e VMRO-DPMNE-së, aty është tani. Nuk ka përparim.”,- thonë nga VMRO-DPMNE.