Në buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2022 nuk janë paraparë mjete për ndërtimin e rrugëve në Çair dhe Saraj, ndonëse buxheti për infrastrukturë është rritur për 7 milion euro. Sipas propozim buxhetit më së shumti do të investohet në komunat si: Qendra, Karposhi, Gjorçe Petrovi, Kisella Voda, Gazi Baba, Buteli e Aerodromi.
Nuk janë paraparë mjete as për Çarshisë e Vjetër.
Por çka u tha Danella Arsovska qytetarëve mu në mes të Çairit, kur kërkonte votat e tyre pak para zgjedhjeve?
“Nuk do ta harrojmë as Çarshinë e Vjetër, duhet t’i kthejmë njerëzit në Çarshi, t’ia kthejmë frymën Shkupit. Qyteti do të kushtoj kujdesej shtesë në suaza të kompetencave të veta për ruajtjen dhe popullarizim e Kurshumlian, Kapanan, Sulian, Çifteamam, Daut pasha amam. Do të punojmë për ndriçim të plotë të Çarshisë si dhe për promovimin e zanateve, për lehtësimin e qasjen në Çarshi si dhe për popullarizimin që Çarshia përsëri të bëhet qendra e Qyteti për gjithë ngjarjet në Shkupin tonë”, tha Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.
Tani kur edhe u zgjodh kryetare, në propozim buxhetin e Qytetit të Shkupit nuk qëndron asnjë projekt nga këto premtime.
Në sektorin e turizmit në plan propozimin e buxhetit në asnjë paragraf nuk përmendet Çarshia e Shkupit, apo ndriçimi i saj. E nuk përmenden as tek sektori i kulturës.
Këshilltarja e LSDM-së në qytetin e Shkupit Lubica Jançeva tha për TV21 se nuk ka para në propozim ndonjë projekt që ka të bëj më Çairin.
“Për Çairin ajo që unë prisja të bëhet, më së paku prisja të bëhet libraria që kemi fol, kam prit që më së paku të jetë, rregullimi i rrugës Cvetan Dimov, por edhe zgjerimi dhe të bëhej bulevard asgjë nga ajo nuk pash. Nuk kam parë asnjë rrugë që do të rregullohet në territorin e komunës së Çairit nëse në ndonjë pik është e fshehur në programet ku unë nuk mund të di nëse do të ketë mjete për Çair atëherë ju kërkoj falje qytetarëve”, u shpreh Lubica Jançeva.
Nga qyteti i Shkupit kanë reaguar përmes një kumtese duke thënë se programi ka projekte për të gjithë shkupjanet, përfshi 10 komunat e Shkupit. Por edhe pse pyetem konkretisht për atë që u tha banorëve të Çairit nuk morëm përgjigje.
“Programi i Qytetit të Shkupit përfshinë projekte për të gjithë shkupjanët dhe për të 10 komunat e Shkupit, duke filluar nga projekti i “Shkupi pa vendbanime të harruara”, pastrimi dhe rregullimi i shtratit të lumit në të dy anët e Vardarit që përfshinë komunat Saraj, Gjorçe Petrov, Karposh, Qendër, Aerodrom, Gazi Babë. Qyteti i Shkupit në mandatin e tij katërvjeçar ka planifikuar ndërtimin e korsive të reja për biçikleta nga Buteli përmes Çairit deri në Qendër, si dhe në 9 komunat e tjera, si dhe 5 parqe të mëdha në Çair, Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Aerodrom dhe Kisela Voda”, thonë nga Qytetit i Shkupit.
Këshilltarja e LSDM-së tha se nuk janë konsultuar këshilltarët gjatë përpilimit të këtij propozim buxheti, ndërsa tha se do të dorëzojnë amendamente. Ndërsa sipas saj të mërkurën pritet të votohet buxheti i qytetit të Shkupit.
Gjatë ditës jemi munduar të kontaktojmë me kryetaren e qytetit të Shkupit Danella Arsovska, dhe me nënkryetaren Bujare Abazi, por nga asnjëra nuk morëm përgjigje.