Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka komentuar deklaratën e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski për kontestin me Bullgarinë.
Osmani thotë se deklarata nuk duhet të shihet nga këndvështrimi se ai është kundër qasjes së qeverisë ndaj kontestit, por se motivon qytetarët se gjuha dhe identitetit nuk duhet të jetë pjesë e negocimit.
“Pendarovski, edhe pse në këndvështrimin e parë duket se është kundër kësaj qasje, sërish nëse ai shihet në tjetër këndvështrim, nënkupton inkurajim të qytetarëve se do të ketë zgjidhje për këtë kontest dhe se nuk do të ketë destabilizim të vendit nëse nuk zgjidhet ky kontest”, tha Osmani.
Ndërkaq Pendarovski gjatë fjalimit të fundvitit në Kuvend, deklaroi se bllokada bullgare në rrugën e vendit drejt BE-së nuk duhet të jetë arsyeja që të marrim vendime të përshpejtuara duke i pasur parasysh linjat tona të kuqe.
Sipas tij nuk ka dilemë se nuk ka opsion tjetër përveç BE-së, megjithatë nëse çmimi për këtë është identiteti ynë atëherë çmimi është tepër i lartë, tha shefi i shtetit.
“Përndryshe, nga fillimi i bllokadës bullgare, deri më sot, unë jam për një qasje të kujdesshme dhe të reflektuar në negociatat, pa kthesa të menjëhershme sepse bëhet fjalë për çështje të interesit absolutisht më të lartë nacional, ndërsa kur jeni të ballafaquar me një sfidë të një kalibri të tillë, shpejtimi nuk është gjithmonë aleati juaj më i mirë. Nuk kemi dilemë në lidhje me faktin se integrimet evropiane nuk kanë alternativë tjetër për ne, por, ato gjithsesi kanë çmimin e vet. Nëse ky çmim nënkupton heqje dorë nga identiteti ynë, nuk shoh politikan te ne i cili dëshiron ta shesë popullin e vet për integrime të tilla”, deklaroi më tej Pendarovski.