Nxënësit kërkojnë paraburgim për mësuesin që rrahu nxënësin me mjet metalik


Nxënësit e shkollës së mesme “Ibrahim Temo” nga Struga sot e bojkotojnë mësimin dhe me protestë të qetë para Gjykatës Themelore në Strugë shprehën pakënaqësi nga vendimi për mos caktimin e masës së paraburgimit për profesorin që dje e lëndoi një nxënës në shkollë.

Protesta, siç theksojnë, është që rasti të mos përsëritet, profesori ta marrë të merituarën, që ata të ndihen të sigurt kur shkojnë në shkollë.

Policia, siç kumtoi SPB Ohër, dje e ka arrestuar 57-vjeçarin E.S, profesor i gjuhës angleze në gjimnazin e Strugës. Personi është ndaluar mbrëmë në stacionin policor në Ohër, por sipas informacioneve tashmë është i lirë.

Nga Prokuroria Themelore Publike për MIA-n informojnë se janë dhënë udhëzime përkatëse marrjen e veprimeve nga ana e MPB-së.

Incidenti ka ndodhur dje, rreth orës 13:30, kur profesori E.S. (57) ka goditur me mjet metalik gjimnazistin në kokë. Fëmija u shtrua në Repartin e Kirurgjisë ku ishte qepur dhe profesori u ndalua. Sipas drejtoreshës së gjimnazit “Ibrahim Temo” Besime Jonuzi, ka qenë profesori problematik, ndaj të cilit disa herë është nisur procedimi disiplinor dhe është raportuar në institucionet kompetente.