A e paralajmëron largimin e tij edhe ministri i brendshëm Oliver Spasovski. Ai në Klik Plus tha se do të largohet nga funksioni nënkryetar i LSDM-së, me çka me shumë gjasa paralajmëron edhe se nuk do të jetë më pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Mendoj se nuk duhet të jem pjesë e ekipit të ri të LSDM-së, zgjedhjen do ta bëjë vetë Kovaçevski, tha Spasovski.
“Këtë zgjedhje megjithatë duhet ta bëjë me njerëz të rinj, andaj mendoj se nuk duhet të jem pjesë e ekipit të ri me qëllim që të mos e ngarkoj as kryetarin as ekipin e ri. Ndoshta duhen njerëz të rinj. Kur flasim për njerëz të rinj nuk mendoj për njerëz që nuk janë rritur dhe nuk janë përpjekur nëpër strukturat e partisë, por njerëz që ndoshta kanë edhe më shumë energji dhe vizion të ndryshëm, ne patjetër do të jemi këtu, krah me krah për të ndihmuar”, deklaroi Spasovski në ClickPlus në TV21.
Largimin nga qeveria e paralajmëroi edhe ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska e cila në maj të këtij viti hoqi dorë nga funksionet partiake, pastaj ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, ajo e arsimit, Milla Carovska, ndërsa gjithnjë e më të zëshme janë paralajmërimet se në kabinetin e ri, edhe ministrat e tjerë të LSDM-së nuk do të jenë pjesë e kabinetit ose do të bëjnë rotacion në pozita të tjera. Ndoshta i kemi emrat e atyre që po largohen megjithatë ka shumë pak informacione se kush do t’i zëvendësojë ata.
Për ministrin e drejtësisë Bojan Mariçiq ka paralajmërime se do të bëhet zv/kryeministër për çështje evropiane në vendin e Nikolla Dimitrovit, për të cilin flitet se do të emërohet ambasador. Në opinion spekulohet se ministër i ardhshëm për transport dhe lidhje do të jetë ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. Në ministrinë e bujqësisë vjen zëvendësi Trajan Dimkovski. Sipas të gjitha gjasave në pozitën e tij mbetet Fatmir Bytyqi si zv/kryeministër për çështje ekonomike por edhe Goran Milevski në vetëqeverisjen lokale, ndërsa në kabinetin e ri do të ketë edhe kuadro të Alternativës.
Mandatari i ri Kovaçevski përveç për kabinetin e ri, do të duhet të kujdeset edhe për kompletimin e trupave të partisë. Spasovski thotë se LSDM-ja si parti nuk është shumë e dobësuar por se i duhen ndryshime.
“Nëse shohim nëpërmjet prizmit të rezultateve të zgjedhjeve lokale, nuk shoh se ajo është shumë e dobësuar si strukturë, si parti. Megjithatë, a duhet të rregullohet diçka brenda strukturës – po. A duhet të ndryshohet diçka në mënyrën e veprimit, në politikat etj, etj, gjithsesi se po”, tha më tej Spasovski.
Tani për tani riorganizimi i partisë mbahet në fshehtësi, nuk dihet se cilët do të jenë zëvendësit e kryetarit, por jo zyrtarisht thuhet se në strukturat e partisë kthehet Igor Ivanovski Shema i cili deri më tani nuk ishte aktiv në parti. Njëkohësisht u tha se do të bëhen përpjekje që të kthehet kryetari Kumanovës, Maksim Dimitrievski.