Borisov tha se ishte mirë që Maqedonia e Veriut të anëtarësohej në BE sa më shpejt të jetë e mundur, por se fillimisht duhet të gjendet një zgjidhje për pakicat, kushtetutën dhe “të sqarohet historia”.
“Nëse qeveria bullgare bën lëshime për Maqedoninë e Veriut dhe i dorëzon ato në parlament, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim,” tha Bojko Borisov, ish-kryeministër I Bullgarisë dhe udhëheqës i partisë më të madhe opozitare të vendit, për gazetën bullgare 24 Orë.
I pyetur nëse plani i propozuar nga kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, për të ngritur grupe pune për dialogun me vendin do të funksiononte, Borisov njoftoi mbështetje.
Siç njofton MIA nga Sofja, Borisov në intervistë ka rikujtuar se Qeveria e tij ka nënshkruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Maqedoninë e Veriut, veprim të cilin e vlerëson si “hap i madh përpara”.
“Gjatë presidencës bullgare të BE-së, pati takime mes kryeministrave grekë dhe maqedonas Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, si dhe me presidentin francez Emmanuel Macron dhe të tjerë. Marrëveshja e Prespës lindi në Sofje, si një mundësi pas Marrëveshjes me Bullgarinë”, tha Borisov.
Sipas Borisov, vendit iu tha më pas se kishte “dy ose tre çështje që duhet të zgjidhen – pakicat, të ndryshohet Kushtetuta, të sqarohet historia – dhe pastaj të vazhdohet”.
Në intervistë, Borisov theksoi gjithashtu se dëshiron që kabineti i ri bullgar të zhvillojë negociata të mira me vendin dhe nëse qeveria e tij ka bërë diçka të gabuar, ta korrigjuar atë.
“I kemi thënë fqinjëve, janë dy-tri tema: pakicat, ndryshimi i Kushtetutës dhe sqarimi i historisë. Kur t’i zgjidhni ato, do të ecni përpara. Ne nuk i ndalojmë në asnjë mënyrë, por si t’u themi – ejani në Bashkimin Evropian dhe pastaj mbushni Unionin me probleme që ne nuk i kuptojmë. Kjo është arsyeja pse ne i ngadalësuam ato. Tani jemi gati që ata të bëjnë lëshime, qeveria jonë të bëjë lëshime, të kalojë në Parlament dhe ne do t’i mbështesim”, thotë Borisov.