Ballkani i Hapur si mundësi për punëtorët?

Përfaqësues nga Odat Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thonë se para se të vihet në zbatim marrëveshja për lëvizjen e lirë të punëtorëve, fillimisht duhet bërë një analizë e mirë e tregut të punës, në gjithë rajonin, që Maqedonia e Veriut të mos vijë në një situatë që t’i largohet e gjithë fuqia punëtore.

Reagimi pason marrëveshjen për lëvizjen e lirë të punëtorëve, të firmosur nga ana e ish-kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e shtatë të Iniciativës për Ballkanin e Hapur, mbajtur më 20 dhe 21 dhjetor në Tiranë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, punëtorëve nga Maqedonia e Veriut u mundësohet të punojnë lirshëm në Serbi dhe Shqipëri dhe qytetarët e tyre të konkurrojnë në tregun maqedonas të punës. Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë një marrëveshje të këtillë.

rilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se parësore është që të përfshihen të gjitha shtetet e rajonit dhe jo vetëm tri shtete: Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia.

“Në parim vlerësojmë se marrëveshja e fundit me të cilën mundësohet lëvizja e lirë e fuqisë punëtore është e duhur, mirëpo vlerësojmë se pak është (hap)i shpejtuar pasi dihen se si janë kapacitetet administrative të këtyre vendeve. Dhe, rrjedhimisht, kjo mund të vërë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes”, thotë Iseni.

Sipas tij, iniciativa ka anën pozitive pasi do të kontribuojë në masë të theksuar në motivimin e punëtorëve të investojnë në ngritjen e shkathtësive të tyre profesionale.

“Pozitive është në aspektin e ngritjes së kapaciteteve profesionale të vetë fuqisë punëtore. Por, problematike mbetet se te ne nuk kemi një analizë krahasuese të fuqisë punëtore në treg për të bërë krahasime se ku jemi ne dhe ku janë vendet e rajonit”, thotë Iseni duke ngritur dyshime se kjo marrëveshje do të arrijë të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.