Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci, i cili organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden.
Kështu ka bërë të ditur Zëri i Amerikës me anë të burimeve në Washington, derisa dihet se ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për të.
Siç bën të ditur ky burim, pjesë e Samitit të Demokracisë do të jetë edhe Serbia.
Pyetja për kriteret e përcaktimit të të ftuarve dhe çfarë rëndësie mund të kishte, megjithatë nuk ishte objekt i një përgjigjeje më të detajuar të Departamentit të Shtetit për pyetjen e Zërit të Amerikës për mbajtjen dhe organizimin e Samitit për Demokraci.
Në një përgjigje me shkrim nga Departamenti amerikan i Shtetit u tha se qëllimi i Samitit është të forcojë angazhimin e saj për pozicionimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në zemër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Do të kërkojë një angazhim inovativ dhe të fortë për t’u mbrojtur kundër autoritarizmit, mënyra për të trajtuar dhe luftuar korrupsionin dhe për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit”, thuhej në përgjigje ndaj tyre.