Kryeministri Zoran Zaev sot sërish është në Ilindenska nr.2, pasi dje nuk u votua mosbesimi i Qeverisë.
“Duke e pasur parasysh se ata nuk patëm kuorum për qëllimin për të cilin ishte parashtruar kjo çështje, rendi i ditës nuk është votuar dhe për këtë arsye nuk mund të hapet debat sipas Rregullores rreth iniciativës për votim të mosbesimit të Qeverisë. Duke pasur parasysh se ka kaluar koha, konstatoj se Qeverisë nuk i është votuar mosbesimi dhe mbi bazë të kësaj, Qeveria vazhdon në përbërje të plotë dhe me detyrat që i ka”, tha Talat Xhaferi, kryeparlamentar.
Deputetët e pushtetit dhe opozitës nuk u paraqitën. Sfida më e vështirë kaloi. Qeveria “shpëtoi”. Vijuan përgëzimet. E enjtja e djeshme ishte mes ditëve më të rënda për Kuvendin.
“Qeveria do të bjerë”, tha Sela.
“Rri rahat. Okej? Kur do të shkosh në kazermë të mbash kujdestari, atje mundet. Atje ka oficer kujdestar, atje mund të mbani kujdestari. Duke pasur parasysh se unë nuk jam mbështetës i iniciativës, nuk do të jem i 61 më radhë këtu”, pohoi Xhaferi.
“Më vonë do t’ju jap deklaratë. -Mbetët pa 61? “, tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
Por, prej këtij momenti vijoi game change. Deputeti Kastriot Rexhepi la pezull “shumicën e re parlamentare”.
“Tani po vij. Isha në ligjërata deri tani, menjëherë do ta mësoj të vërtetën”, pohoi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
“Kemi vetëm një status në Fejsbuk dhe nuk kemi parë paraqitje me zë dhe me figurë nga Kastriot Rexhepi”, pohoi Zijadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
“Kuptohet se deputetët janë për një Qeveri e cila kultivon vlera evropiane dhe euroatlantike. Zemra e Rexhepit po fle në Uashington dhe në Bruksel, prandaj edhe vendimi i tij është i tillë”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Lideri i Besës, Kasami e paraqiti “zhdukjen” e deputetit të tij në stacion policor, pas çka Rexhepi doli me video porosi në Fejsbuk.
Deputetët e opozitës filluan të largohen nga Kuvendi, duke siguruar se do të kthehen. Nga ana tjetër, pushteti paralajmëronte se do të kthehet në numër edhe më të madh.
“Herën e parë thashë gjithçka me një deklaratë të z.Hristijan Mickoskit. Ja po e përsëris edhe një herë. Jo vetëm që kemi, por kjo shumicë parlamentare do të rritet”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
“Kemi edhe një ditë tjetër e cila do të shkruhet në faqet e zeza të historisë maqedonase, sepse sot në Maqedoni është shkelur demokracia“, tha Aleksadar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
“Të gjithë ata që mbështesin Maqedoninë e integruar në BE, mbështesin Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë janë të mirëseardhur në këtë shumicë dhe do ta shihni vetë se do të rritet. Para nesh janë dy vite e gjysmë të mira për t’i përmbushur të gjitha programet që i premtuam në zgjedhjet parlamentare. Le t’ju jetë me fat qytetarëve, sot fitoi Maqedonia e Veriut“, tha Artan Grubi nga BDI.
Ky zhvillim ngjarjesh vijoi pasi kryeministri paralajmëroi dorëheqje pas humbjes në zgjedhjet lokale, por pastaj ndërroi mendje dhe mbeti në funksion për një shumicë parlamentare stabile.