Fatlume Dervishi
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nuk sqaron procedurat parlamentare rreth nismës për rrëzimin e Qeverisë, korrigjimin dhe plotësimin e saj. Nga ai u kërkua qëndrim që para ndryshimit të situatës por nuk morëm përgjigje. Nuk ka sqarime nëse i pari i Kuvendit ka vërejtje dhe mund ta kontestojë mënyrën e plotësimit të nismës së dorëzuar ditë më parë dhe nëse mund të ketë ndryshime në orarin e seancës, shkruan Alsat.
Kushtetuta dhe Rregullorja parashikojnë që seanca të mbahet tre ditë pas dorëzimit të nismës.
“Për çështjen e besimit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë cakton seancë. Seanca mbahet ditën e tretë nga dita e ngritjes së çështjes së besimit të Qeverisë”, thotë rregullorja, neni 215.
Nëse llogaritë vazhdojnë të bëhen sipas nismës bazë të dorëzuar ditën e hënë, seanca për mosbesimin e Qeverisë do të mbetet siç është caktuar për nesër në ora 11. Kryeministri Zoran Zaev një natë më parë, pas mbledhjes së organeve të partisë njoftoi se ka vendosur të shtyj deponimin e dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, për të ruajtur shumicën e cila beson se është e sigurt.
“Dorëheqjet e mia nuk diskutohet dhe as nuk vendoset për to për arsye se kur i paralajmërova mbrëmjen e 31 tetorit konfirmova se mbetem këtu që të ndihmoj të ruhet shumica parlamentare dhe nëse mundet edhe të rritet. Kjo është përgjegjësi ndaj shtetit dhe popullit dhe është e logjikshme. Sinqerisht pres që shumica parlamentare demokratike do të stabilizohet”, ka thënë kryeministri Zoran Zaev, një natë më parë.
Por, Zaev nuk kishte këtë qëndrim më 31 tetor. Ai kishte thënë se dorëhiqet dhe se gjatë periudhës që vjen do të ndihmojë në riorganizimin e Qeverisë.
“Mbeten dy vite e gjysmë të shkëlqyera dhe të papërsëritshme për punë dhe suksese ekonomike nga të cilat do të përfitojë i gjithë populli ynë dhe shteti. Do të mbes periudhën deri sa duhet të riorganizohet Qeveri e re me shumicë progresive të cilën e kemi dhe që mund të rritet akoma”, ishte shprehur Zaev, më 31 tetor.
Nuk dihet deri kur mund të shtyhet konkretizimi i dorëheqjes së Zaevit./ Alsat.mk