Problemi me Bullgarinë është dypalësh dhe nuk duhet të jetë pengesë për Maqedoninë e Veriut që t’i fillojë negociatat aderuese me BE-në, ka thënë të mërkurën në Shkup, Kryeministri i Holandës Mark Rutte, duke shtuar se në prapaskenë shumë liderë të BE-së kanë diskutime me Bullgarinë që të sigurohen se problemi do të zgjidhet.
Rutte pati një takim të shkurtër me gazetarët në rezidencën holandeze para darkës me Presidentin Pendarovski, kurse gjatë vizitës në Shkup, ka realizuar takim edhe me Kryeministrin Zaev, duke përfunduar mini-turnenë nëpër rajon pas vizitave në Shqipëri dhe Greqi.
Ai rikujtoi se vendi i tij ka shprehur kundërshtime më të mëdha për zgjerimin e BE-së, por RMV-ja dhe Shqipëria kanë bërë progress të madh dy vitet e fundit dhe janë gati për nisjen e negociatave aderuese.
“Jam këtu sepse Holanda ishte vendi që më së shumti kundërshtonte zgjerimin e BE-së, por aq progres është bërë gjatë dy viteve të kaluara dhe jam i lumtur të them se BE-ja ka vendosur që t`i nisë negociatat. Fatkeqësisht, kemi problemin me Bullgarinë që duhet të zgjidhet”, ka thënë Kryeministri Rutte.
I pyetur nëse ekziston mundësia për nisjen e negociatave deri në fund të vitit, Rutte tha se shpreson për më të mirën pas zgjedhjeve të javës së ardhshme në Bullgari.
“Unë jam optimist i kujdesshëm. Shpresoj se pas zgjedhjeve në Bullgari dhe faktit që kolegët e mi në BE janë dakord se cështja dypalëshe midis Bullgarisë dhe RMV-së, nuk duhet të jetë pengesë për çeljen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë. Është mendim kolektiv i BE-së. Padyshim se çështja me Bullgarinë më irriton shumë, për shkak të anulimit të nisjes në konferencave ndërqeveritare. Para së gjithash kjo cështje është dypalëshe dhe nuk duhet t`I pengojë negociatat aderuese. Ky nuk është mendimi im, por i të gjithë anëtarëve tjerë të BE-së. Ndoshta kjo nuk shihet, por kemi shumë diskutime me Bullgarinë, por edhe kolegët e mi të BE-së, që të sigurohemi se cështja është zgjidhur”, tha Kryeministri holandez.
Në pyetjen nëse vizita e tij ka lidhje me votimin e nesërm të besimit të Qeverisë, ai tha se bëhet fjalë për rastësi, pasi vizita ishte planifikuar para një muaji./tvklan