Petar Petkoviq, tha se Albin Kurti me mesazhin e fundit se nuk do të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, jo vetëm që po e anulon dialogun por po e poshtëron drejtpërdrejt ata që ditët e fundit kanë përkrahur formimin e KPK-së, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me mesazhet e fundit se nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, Albin Kurti jo vetëm që e anulon dialogun, por edhe poshtëron drejtpërdrejt ata që ditët e fundit kanë përkrahur formimin e KPK-së – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq
Sipas tij, kjo është një fyerje e pastër për të gjithë serbët e dëbuar, sepse sot zonat dhe qytetet ku jetojnë shqiptarët janë vende të pastra etnikisht, si Gjakova, Suhareka, Peja, Prishtina dhe qytetet tjera.
“Nëse vendosmëria e spektrit ndërkombëtar për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve është e paqartë, mesazhet e Kurtit, të cilat shkatërrojnë çdo mundësi bisedimesh dhe marrëveshjesh, marrin vëmendje të pazakontë nga publiku i tyre dhe mediat e njohura gjermane dhe britanike. Është e qartë se njoftime të tilla i shërbejnë Kurtit, ndër të tjera, edhe për luftën e brendshme politike para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe se Kurti, me përballje të përditshme me Beogradin zyrtar dhe popullin serb në krahinë, përpiqet të sigurojë pozita të forta në Prishtinë dhe krijojnë përshtypjen e njëfarë vazhdimësie politike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se është e papranueshme dhe e turpshme që Kurti të tregojë arbitraritet dhe arrogancë kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe ta bëjë këtë pa asnjë sanksion, pikërisht nga ata që janë garantues të zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar.
“Nuk ka dyshim se po të pyetet Kurti nuk do të ketë Bashkim të Komunave Serbe, por nuk do të kishte as serb në Kosovë e Metohi. Mirëpo, këtë nuk do ta lejojmë kurrë dhe do të luftojmë me këmbëngulje dhe vendosmëri për realizimin e të drejtave kolektive të popullit serb”, ka thënë ai.