Rusia synon të zhbëjë çdo që kanë arritur amerikanët në Ballkanin Perëndimor, demokracinë dhe qëndrueshmërinë. Këtë e tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një bashkëbisedimi në universitetin Johns Hopkins me temën “E ardhmja e Kosovës në një rajon sfidues”.
“Kosova i përket një rajoni mjaft sfidues ku Rusia ka interesa specifike dhe interesi i saj nuk është vetëm destabilizimi i Kosovës, por Ballkani Perëndimor është një rajon ku ata dëshirojnë të zhbëjnë çdo gjë amerikane, çdo gjë që Shtetet e Bashkuara kanë arritur në dy-tri dekadat e fundit, që janë qëndrueshmëria dhe demokracia”.
Qartazi tha ajo,“Rusia ka gjetur trampolinën për ndikimin e saj dhe kjo është qeveria e Serbisë, e cila vazhdon ta destabilizojë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën”.
Ndërsa akuzoi regjimin serb, për ndjekje të mentalitetit të Slobodan Millosheviçit, presidentja theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin ngul këmbë Beogradi, do të ishte “prelud i krijimit të një ‘Republika Srpska’, në Kosovë”, duke përmendur shembullin e Bosnjës “si një mësim të mirë”.
Serbia sipas saj, nuk është e interesuar në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht te detyrueshme me Kosovën, që ka në thelb njohjen reciproke. Osmani shtoi më tej se Serbia po abuzon me dialogun, duke u thënë vendeve që janë larg territorit të Ballkanit që të mos e njohin shtetësinë e Kosovës, sepse “statusi i këtij shteti është ende duke u negociuar”.