Më shumë se vetëm një numër: Cili është ndryshimi midis ngrohjes globale prej 1,5 dhe 2 gradë Celsius?
Gjatë samitit të klimës Cop26 në Glasgow, liderët botërorë theksuan vazhdimisht nevojën për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius.
Marrëveshja e Parisit për Klimën, e cila hyri në fuqi në vitin 2015, detyroi vendet të kufizojnë rritjen e temperaturës mesatare globale nën 2 gradë Celsius në raport me nivelin paraindustrial dhe të synojnë një numër “magjik” prej 1.5 gradë.
Shkencëtarët kanë theksuar vazhdimisht se rritja e ngrohjes globale mbi 1.5 gradë Celsius do të thotë se do të kemi më tepër efekte te njerëzit, kafshët dhe ekosistemet e tëra, transmeton Telegrafi.
Për të parandaluar këtë, vendet duhet pothuajse të përgjysmojnë emetimet globale të CO2 deri në vitin 2030 në krahasim me nivelet e vitit 2010 dhe në të ardhmen, më saktë deri në vitin 2050, t’i reduktojnë ato në zero emetime, që është një detyrë ambicioze për të gjithë ata që u diskutuan për këtë në eventin Cop26, raporton reuters.
Megjithatë, cila është pyetja themelore në luftën kundër ndryshimeve klimatike – cili është ndryshimi midis ngrohjes globale prej 1.5 gradë Celsius dhe ngrohjes prej 2 gradë Celsius?
Ku jemi tani?
Përveç një ndryshimi të thjeshtë matematikor, ndryshimi midis dy numrave në klimatologji luan një rol shumë më serioz.
Tashmë, planeti Tokë po ngrohet rreth 1.1 gradë Celsius mbi matjet para-industriale. Secila nga katër dekadat e mëparshme ka qenë më e ngrohtë se çdo dekadë që nga viti 1850.
“Ne nuk kemi pasur kurrë një ngrohje të tillë globale në vetëm disa dekada. Gjysmë shkallë më e lartë do të thotë kushte shumë më ekstreme të motit që mund të zgjasin shumë më gjatë”, tha shkencëtarja Daniela Jacob.
Vetëm gjatë vitit 2021, shirat e dendur përmbytën Kinën dhe Evropën Perëndimore. Qindra banorë vdiqën gjithashtu në Paqësorin veriperëndimor kur temperaturat arritën nivele rekord. Grenlanda përjetoi shkrirje masive dhe zjarret e pyjeve shkatërruan Mesdheun dhe Siberinë.
“Ndryshimet klimatike tashmë po prekin të gjitha rajonet e populluara anembanë botës”, tha shkencëtarja Rachel Warren.
Vapa, shiu, thatësira
Ngrohja mbi 1.5 gradë Celsius do të sillte dukshëm më shumë ngjarje të motit ekstrem.
“Me çdo rritje të temperaturës në ngrohjen globale, ndryshimet ekstreme po bëhen më të mëdha”, tha shkencëtarja Sonia Seneviratne.
Për shembull, valët e të nxehtit, nëse temperatura globale do të rritej me 2 gradë Celsius, do të ishin shumë më të shpeshta dhe do të zgjasin shumë më gjatë.
“Një ngjarje e nxehtësisë ekstreme që ndodhte një herë në dekadë në një klimë pa ndikim njerëzor do të ndodhte 4.1 herë në dekadë kur nxehet në 1.5 gradë Celsius. Me një ngrohje prej 2 gradë Celsius, ngjarjet do të ndodhnin në një dekadë 5, 6 herë më shpesh”, thuhet në Panelin e OKB-së për Shkencën e Klimës (IPCC).
Akull, det dhe shkëmbinj nënujorë koralorë
Diferenca midis 1.5 gradë dhe 2 gradë Celsius do të ndikonte në oqeanet si dhe në zonat e ngrira.
“Në 1.5 gradë, ka një shans të madh që ne mund të parandalojmë shembjen e pjesës më të madhe të mbulesës së akullit në Grenlandë, si dhe në pjesën perëndimore të Antarktidës”, tha klimatologu Michael Mann.
Do të ndihmonte gjithashtu në kufizimin e rritjes së nivelit të detit deri në fund të shekullit, por do të ishte ende një ndryshim që mund të shkatërrojë brigjet dhe të përmbysë disa ishuj.
“Megjithatë, duke u ngritur në 2 gradë Celsius, shtresat e akullit mund të shemben plotësisht dhe rritja e nivelit të detit do të ishte deri në 10 metra”, thekson klimatologu.
Ushqimi, pyjet, sëmundjet
Ngrohja globale prej 2 gradë Celsius do të rriste gjithashtu ndikimin në prodhimin e ushqimit.
“Nëse gruri dhe drithërat e tjerë nuk prodhohen me sukses në disa pjesë të botës, atëherë mund të shohim si rritje ekstreme të çmimeve të ushqimeve ashtu edhe buke në mbarë botën”, thekson klimatologu, Simon Lewis.
Gjithashtu, me shfaqjen e valëve të të nxehtit më të gjata dhe më të forta, mushkonjat që transmetojnë sëmundje si malaria dhe ethet e dengës mund të arrijnë në zonat që nuk i kanë vizituar aq shpesh deri më tani.
Pikat e ndërprerjes
Ndërsa temperatura globale rritet nga viti në vit, rreziku është që planeti të arrijë të ashtuquajturën “pikat e kthesës” ku sistemi i Tokës shkakton procese të pakthyeshme.
Thatësira, reduktimi i reshjeve si dhe shkatërrimi i vazhdueshëm i Amazonës mund të çojnë në kolapsin e sistemit të pyjeve të shiut, i cili do të çlironte më tej CO2 në atmosferë.
Gjatë samitit Cop26, zyrtarë nga shumë vende të botës bënë premtime të shumta për të reduktuar emetimet e CO2, të cilat, nëse zbatohen, mund të mbajnë ngrohjen nën 1.8 gradë Celsius.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse premtimet që liderët janë gjithmonë të lumtur t’i ndajnë me publikun do të realizohen fare.
Nëse nuk plotësohen, një gjë është e sigurt – planetin dhe të gjithë banorët e tij e pret një periudhë e stuhishme dhe e pasigurt.