Kryetari i Bujanocit kundër “Ballkanit të Hapur”: Problemet e Luginës i zgjidh veç marrëveshja Kosovë-Serbi
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, po mbështet Qeverinë e Kosovës për mospjesëmarrje në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.
Arifi thotë për KosovaPress se kjo nismë nuk është për një Ballkan të hapur, pasi Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.
I pari i Bujanocit përkrah Qeverinë e Kosovës edhe për vendosjen e masës së reciprocitetit në targa me Serbinë, derisa kërkon reciprocitet edhe në çështjet e tjera.
Ai shprehet i bindur se situata e qetë që po mbretëron aktualisht është për shkak të kontrollimit të veriut nga Serbia, në të kundërtën thotë se kjo e fundit do të fillonte shtypjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Situata momentale në Luginë të Preshevës është e brishtë si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Në aspektin politik, ndikon shumë se si janë duke shkuar bisedat në Bruksel mes palës së Kosovës dhe palës së Serbisë. Në aspektin ekonomik, qeveria e Serbisë nuk ka ndonjë vullnet që të zhvillohet ajo pjesë e territorit. Ne shpresojmë dhe besojmë që shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar dhe pastaj shpresoj që situata do të normalizohet”.
Ai tregon ndikimin që pati për qytetarët e Luginës vënia e reciprocitetit në targa me Serbinë.
“Kohët e fundit kemi pasur situata jo dhe aq të lakmueshme në pjesën tonë. Momenti kur ka filluar të implementohet reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket targave të veturave. Ne e kemi mbështetur atë vendim. Shpresoj se do të përdoret ai reciprocitet edhe në lëmi tjera, sidomos në nustrifikimin e diplomave sepse një numër i të rinjve pasi kryejnë fakultetin në universitete të Kosovës, Serbia nuk i pranon… Situata për momentin është e qetë në atë drejtim derisa Serbia kontrollon pjesën e veriut. Momentin që e humb këtë privilegj, atëherë Serbia do të përdorë edhe forcën për të shtypur shqiptarët edhe më tutje në Luginë të Preshevës”.
Ndërkohë që e sheh të drejtë vendimin e Kosovës për të mos qenë pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur”.
“Kjo iniciativë për ‘Ballkanin e hapur’, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë program të posaçëm se çka prodhon. Unë personalisht nuk e përkrahi. Përderisa Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur atëherë nuk kemi të bëjmë me një ‘Ballkan të hapur’ sepse për të shkuar në Serbi duhet të kalohet përmes Kosovës”.
Ai flet edhe për situatën me pandeminë, për çka thotë se përkundër vështirësive që kanë, ia kanë dalë që të menaxhojnë mirë me pandeminë.
“Sa i përket situatës me pandeminë, e kemi situatën nën kontroll dhe… Ministria e Shëndetësisë në Serbi ka ranguar komunën e Bujanocit në mesin e pesë komunave që kanë punuar dhe qytetarët kanë marrë vaksinën, qoftë te parën, të dytën apo edhe të tretën. Kështu që, në këtë drejtim jemi duke e menaxhuar situatën shumë mirë”, shprehet ai./KP