Kriza në Maqedoni, Neziri: Ali Ahmeti luajti rolin e presidentit, e vu interesin e shtetit mbi atë të partisë
SHKRUAN: XHELAL NEZIRI
Skena politike në Maqedoninë e Veriut për disa ditë la nën hije edhe serialet më të shikuara në televizionet e këtij vendi. Ditë të përmbushura me kthesa, pritje, ankth, lojëra, intriga, interesa, ndikime, me politikë e gjeopolitikë. Dramë që as skenaristi më i mirë nuk do të mund ta shkruante.
Qytetarët ishin të ndarë në ndjenjën e tyre: disa e shihnin si zbavitje, disa si frikë, e disa bënin tifo. Këta të fundit e shihnin përplasjen pozitë-opozitë tamam si ndeshje futbolli, si derbi. Si për shembull, kur luan Real Madridi me Barcelonën apo Interi me Juventusin.
Megjithatë, kjo krizë përmbante në vete një rrezik të madh, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë. Largimi pa menduar mirë pasojat i kryeministrit Zoran Zaev, pasiviteti i presidentit Stevo Pendarovski, afrim-largimet e deputetëve dhe partive me njërin apo taborin tjetër, dezinformatat për milionat që ka marrë apo i janë ofruar filan e fistek deputetit dhe qasja ego-centrike e politikanëve kanë rrezikuar seriozisht të ardhmen evropiane por edhe atlantike të vendit. Rotacioni i pushtetit në tavolinë, në vend se në zgjedhje, do të prodhonte reagime në Sofje dhe Athinë. Fakti se në atë qeveri të re do të ishin dy parti (VMRO-DPMNE dhe Levica) që ende nuk e pranojnë Marrëveshjen e Prespës dhe emrin e ri të shtetit, në Athinë ndezi menjëherë alarmin. Nea Demokratia e kryeministrit Kirijakos Micotakis ndaloi së miratuari memorandumet e Marrëveshjes, kurse në opinion filloi debati se si Greqia mund ta shpallë të pavlefshëm këtë dokument. Kjo njëkohësisht do të thoshte kthim prapa nga NATO, pra ç’antarësim, pasi anëtarësimi është i lidhur ngushtë me Marrëveshjen e Prespës.
Por, dëmi më i madh do të shkaktohej në raport me integrimin e vendit në BE. Nesër në Bullgari do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, të tretat me radhë brenda një viti, të cilat pritet të nxjerrin fitues partinë GERB të ish kryeministrit Bojko Borisov. Kjo parti ka një epërsi dyfish më të madhe se socialistët e BSP apo popullistët e ITN. Fitorja e Borisov do të ishte lajm i mirë për Bruksel pasi ishte pikërisht ai që në vitin 2017 nënshkroi Traktatin e Miqësisë së Mirë me homologun e tij Zaev. Pra, një dialog Borisov-Zaev ka shtuar shpresat se më 14 dhjetor, kur është caktuar mbledhja e fundit e Këshillit të BE (Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme GAC) për 2021, Bullgaria do të mënjanojë veton e saj, duke i hapur rrugën kështu Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur bisedimet e shumëpritura dhe të merituara për integrim në familjen evropiane. Një sinjal i këtillë pozitiv në Shkup e Tiranë ka ardhur së fundmi edhe nga Franca dhe Holanda, anëtare që deri tash ishin skeptike dhe bllokuese për hapjen e negociatave.
Po të ishin pamundësuar këto projeksione me rotacionin e tentuar të pushtetit në Shkup, atëherë faji nuk do të ishte më i Sofjes apo Athinës. Qëndrimi kundër Traktatit me Bullgarinë i opozitës maqedonase do të rrëzonte të gjitha gjasat për marrëveshje të shpejtë. Lëshimi i 14 dhjetorit si rast do të shtynte për një kohë të pacaktuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kjo do të implikonte pasoja të rënda për ekonominë vendit dhe jo vetëm.
Është krejtësisht legjitime dhe e pritur që opozita shqiptare, e udhëhequr nga Aleanca për Shqiptarët, të shfrytëzojë çdo dobësi të pozitës për të marrë pushtetin. Opozita konstruktive nuk është opozitë. Një parti mund të realizojë projektet e saja vetëm duke pasur pushtetin. Ishte legjitime edhe kërkesa e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të shpejta, brenda 45 ditëve, pasi në zgjedhjet lokale mori më shumë vota se LSDM në pushtet. Megjithatë, interesi i qytetarëve në këtë rast binte ndesh me atë të partive.
Në tërë këtë dramë politike vetëm lideri i BDI, Ali Ahmeti, ishte konzistent që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve lokale më 31 tetor e deri në votimin e votëbesimit të qeverisë më 11 nëntor. Edhe pse zgjedhjet e shpejta më shumë i konvenonin partisë së tij, Ahmeti megjithatë nuk e pranoi një ofertë të tillë nga Mickovski. Tha se Zaev duhet të kthehet si kryeministër dhe kjo qeveri duhet të vazhdojë mandatin që e mori para një viti në zgjedhjet parlamentare. Kështu edhe ndodhi. Me këtë pozicionim Ahmeti, në fakt, luajti rolin e presidentit të shtetit, duke e vënë interesin e shtetit mbi atë të partisë së tij.