KDP: ALTERNATIVA – brenda , BESA – jashtë!

Zhvillimet e bujshme në skenën politike të vendit, duket se sa vijnë e po qetësohen. Pasi VMRO-DPMNE dorëzoi të hënën mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Zoran Zaev dhe kabinetit të tij qeverisës, duket se mazhoranca aktuale do t’i nënshtrohet procedurës parlamentare me radhë të konsoliduara!

Sikurse mëson KDP tanimë është gati e sigurt se Lëvizja Besa e Bilall Kasamit dhe Partia Alternativa e Afrim Gashit kanë për t’i ndërruar statuset! Në fakt, Alternativa do të duhet të dalë me qëndrim zyrtar deri të enjten dhe, burime të KDP-së, thonë se pozicionimi ka për të qenë i kundërt me atë çfarë kemi dëgjuar deri sot.

Divorci LSDM-Besa duket se është përfundimtar. Mbetja e kësaj të fundit, ndërkaq do të shpërfaqte pakënaqësinë e partisë së Ahmetit dhe, hipotetikisht, nëse ndodhë kjo, atëherë ky do të ishte fundi i koalicionit aktual në pushtet.

Parlamenti do të mblidhet të enjten për të debatuar lidhur me mocionin e ngritur nga opozita. Nëse bie qeveria e zotit Zoran Zaev, presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia japë mandatin një politikani apo partie që garanton se ka shumicën parlamentare prej 61 deputetësh në parlamentin prej 120 vendesh. Nëse mbijteon votëbesimin, hëpërhë, nuk dihet nëse kryeministri Zaev e ka rishikuar dorëheqjen e paralajmëruar që më 31 tetor, pas pranimit të humbjes në zgjedhjet lokale.

Deri të hënën në orën 14.30 opozitarja VMRO-DPMNE i kishte dhënë afat kryeministrit Zaev të dorëzojë dorëheqjen. Pasi kjo nuk ndodhi, kreu i opozitës, Hristijan Mickoski nisi procvedurën e votëbesimit të qeverisë pasi tha se u beson 61 deputetëve të firmosur në nismën për shumicë të re parlamentare.

“Qeveria e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk solli asgjë të mirë për vendin, por vetëm e ka thelluar varfërinë. Kjo qeveri ka revoltuar qytetarët dhe kjo u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit. Vazhdimi i kësaj qeverie nënkupton edhe më tej thellimin e të gjitha problemeve të lartpërmendura. Qytetarët meritojnë një jetë më të mirë. Koha është që ndarjet dhe konfliktet të ndërpriten, koha është për ndryshime. Kjo qeveri dëshmoi se funksion përmes konflikteve. Nuk janë kujdesur as për shtetin e as për qytetarët. Larguan vendin nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski.

Pas njoftimit të VMRO-së, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit, Zoran Zaev, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, ka theksuar se mocioni është më shumë dëshirë e opozitës dhe se sipas tij, nuk përkon me realitetin.

“Për shkak të dëshirës për pushtet janë të gatshëm që shtetin ta dërgojnë në humbje, ndërsa populli të vuajë. Këto ditë jemi dëshmitarë të cenimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Marrëveshjes së Ohrit, shoqërisë së përbashkët dhe të barabartë, paqes së brendshme të qytetarëve dhe të raporteve të mira me fqinjët. Por, ky vend nuk ka popullin, qytetarët, demokratët, luftëtarët, politikanët dhe partitë e veta që nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të kapin dhe të shkatërrojnë përsëri vendin”, ka shkruar Zaev.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se udhëheqësi i tyre, Ali Ahmeti është autorizuar që të bisedojë me të gjitha palët, siç është theksuar, “të cilat kanë për orientim qasjen euro-atlantike, të cilat kanë për orientim vizionin evropian, por jo me parti të cilat kanë për prioritet filozofinë anti-NATO, anti-amerikane, anti-evropiane, anti-shqiptare”, duke aluduar në partinë e Majta të Dimitar Apasievit, me të cilin liderii opozitës maqedonase Hristijan Mickoski synon të krijojnë një shumicë të re parlamentare.