Ish-i dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka mohuar edhe një herë akuzat e opinionistit serb Dushan Janjiq se ai paguhet nga Serbia. Ndërsa po qëndron në Kosovë këto ditë, Grenell ka sulmuar edhe një herë qeverinë e Albin Kurtit për çështjen e gazit, duke thënë se Kosova ka refuzuar të pranojë para nga ShBA.
“Ne kemi parë këtë personin nga Serbia që ka bërë këtë akuzën e rëndë për mua se jam duke u paguar nga Serbia. Kjo s’është e vërtetë aspak. Është lajm i rremë. Nuk mendoj se mediat duhet të raportojnë një gjë të tillë. Është thashetheme. Mediat kanë përgjegjësinë të raportojnë vetëm faktet”, ka thënë ai.
Duke e quajtur përdorimin e qymyrit si të dëmshëm, Grenell ka kritikuar Qeverinë Kurti për refuzim të të hollave të ShBA-së për projektin e gazit që, sipas tij, do të ishte më i lirë.
“Në Kosovë është nevoja që të hiqet qymyri nga përdorimi. Është i dëmshëm. Çfarë kemi parë prej qeverisë aktuale është një refuzim për të hollat e ShBA-së për gazin. Do të ishte më lirë dhe më e shëndetshme për njerëzit e Kosovës. Do të dëshiroja që ambasada amerikane të ishte më e qartë në këtë drejtim. Ata e humbën mundësinë që të jenë më të qartë”, tha ai për T7.
Ish-ambasadori amerikan në Gjermani u shpreh se Administrata Biden duhet të jetë më agresive në Ballkan.
“Ideja që ShBA-ja është duke pritur Brukselin është frustruese. Ne duam të shohim më shumë veprime sa i përket dialogut. Administrata Biden duhet të jetë më agresive. Ata duhet të jenë më aktivë në Ballkan duke e caktuar një Emisar Special. Nuk e kam parë Joe Bidenin duke folur për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Grenell.
Disa ditë më parë, analisti politik në Serbi, Dushan Janjiq, në një emision televiziv në Serbi, ka thënë se Serbia e paguan nga 100 mijë dollarë në muaj Richard Grenellin. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kanë të drejtë ata që pretendojnë që Vuçiq ka dhënë shuma të majme parash për lobim, Janjiq tha se nuk e di saktë shumën, por sipas tij “janë dhënë shumë para”.
“Ne madje e paguajmë edhe Grenellin nga 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, ka shtuar Janjiq.
Madje sipas analistit serb, vendi i tij po lobon në mënyrë të vjetruar dhe jo produktive.
“Lobimi është në mënyrë të çuditshme i organizuar, për fat të keq, askush nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë, nga Millosheviqi e deri më sot, janë kornizat e njëjta dhe pothuajse të njëjtat agjenci. Nuk kemi lobim serioz në raport me kompanitë, që të vijnë dhe të bëjnë diçka”, tha Janjiq.