Alternativa do të votojë unanimisht mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë. Pasi Dimitar Apasiev tërhoqi nënshkrimin nga nisma për mocion, partia e Afrim Gashit konsideron se janë pjekur kushtet për rrëzimin e Qeverisë. Gashi tha se firmat e Alternativës nuk do t’i ketë as mandatari i cili ka mbështetjen e “të Majtës”. Ndërkohë lidhur me akuzat e partnerit të koalicionit Ziadin Sela se qëndrimi i Skender Rexhepit është gënjeshtër, Gashi tha se pret nga Sela të kërkojë falje.
“Zoti Apasiev e ka tërhequr nënshkrimin e tij nga lista për mocionin e votëbesimit të Qeverisë dhe ne si deputet të Alternativës kemi vendosur që unanimisht nesër të votojmë për mosbesimin e Qeverisë. Alternativa do të jetë pjesë vetëm e asaj Qeverie e cila e ka të qartë kursin e vet euroatlantik dhe politikat për fqinjësi të mirë. Nuk e dimë se kush do të jetë mandatar dhe a do të ketë nevojë për Alternativën. Ne nuk i kemi 50 deputet, i kemi vetëm 4. Ata që kanë nevojë për ne, do të flasim mbi bazën e parimeve dhe ne në organet e partisë do të vendosim bashkërisht”– deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Deputeti Rexhepi tha se me tërheqjen e “të Majtës” u dëshmua se Alternativa nuk rreshtohet me forca destruktive.
“Sot u dha mesazhi se në asnjë hapësirë të shoqërisë listë të përbashkët nuk do të ketë me njerëz që janë anti-shqiptar, anti-NATO, anti-BE, anti-Kosovë. Kjo nuk do të lejohet as në të ardhmen nëse ata mbajnë një kurs të tillë”– pohoi Skender Rexhepi, Deputet i Alternativës.
VMRO-DPMNE-ja beson se mosbesimi ndaj Qeverisë Zaev do të votohet me mbi 61 deputetë. Pas plotësimit të nismës për mosbesim, bie poshtë propozimi i partisë së Hristijan Mickoskit për inicim të ri të mosbesimit.
“E njëjta do të mbetet në procedurë dhe për të do të votohet të enjten. Do të ketë më pak nënshkrime nga ato që ishin në fillim pra jo 61, por do të ketë më shumë se 61 në votimin e saj, përkatësisht do të votojnë për mosbesim ndaj Qeverisë”– tha Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Në listën që ka dërguar Kuvendi vërehet vetëm tërheqja e Dimitar Apasiev por jo edhe e Borisllav Kërmov, gjithashtu deputet i partisë E Majta. Tërheqja e Apasievit vjen pas deklarimeve të deputetit Rexhepi se nënshkrimi i tyre në listë nuk ishte në planin e opozitës për mocion mosbesimi. Ky i fundit në një deklaratë ekskluzive për Alsat tha se nuk do të votonte asnjë mocion derisa E Majta qëndron si pjesë e listës. Edhe pse partitë opozitare pretendojnë në nismë për mocion mosbesimi, Mickoski të premten mbrëma njoftoi shumicë të re, ndërsa një qëndrim të tillë kishte edhe sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari. Bashkë me VMRO-DPMNE-në, ASH-AAA-në dhe partinë E Majta kanë nënshkruar edhe deputetët e Lëvizjes Besa.