Talat Xhaferi nga Tetova: Shqiptarët e kanë vendin të bashkërenditur krah për krah me Ali Ahmetin dhe me Teutën (VIDEO)
Në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me tubimin në qytetin e Tetovës dhe prezantimin e prioriteteve të agjendës së blertë për zhvillimin e Tetovës në katër vitet e ardhshme me Teuta Arifin si kandidate për kryetare komune dhe me listën e këshilltarëve të kryesuar nga Blerim Osmani.
Banorëve të Tetovës iu drejtua kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Kryeparlamentari Talat Xhaferi, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidatja për kryetare të komunës Teuta Arifi, Shefi i Shtabit Lokal Zgjedhor Faton Ahmeti dhe bartësi i listës së këshilltarëve Blerim Osmani.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi në fjalimin e tij ka shprehur bindjen se tetovarët do të vazhdojnë të vepruarit drejtë si në momentet më të rëndësishme për jetën e tyre duke votuar numrin 3 dhe agjendën e blertë.
“Shqiptarë të dashur tetovarë, shqiptarë kudo që jeni në Maqedoni historikisht keni vepruar drejtë. Tetova e 68-tës e këndej të cilës iu bashkangjitën në Gostivar, Kërçovë, Strugë, Ohër, Shkup, Kumanovë, andaj shqiptarët e Tetovës dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë vepruar drejtë edhe në atë 81-shin e studentëve të Prishtinës. Shqiptarët e Tetovës kanë vepruar drejtë bashkërisht me ne edhe në 94-tën e Universitetit të Tetovës. Kanë vepruar drejtë edhe 2021-shin, kanë vepruar drejtë edhe në 20 vjetëshin e fundit. Andaj nuk ka dyshim se Tetova, Kumanova, Likova, Shkupi, Haraçina, Gostivari, Vrapçishti, Kërçova, Struga, Dibra, Dollneni, Pllasnica, Bërvenica, Bogovina, Tearca, Zhelina, Studeniçani edhe kësaj rradhe do të veprojnë drejtë, duke votuar blertë, duke votuar numrin 3 më 17 Tetor që të tregojmë njëherë e përgjithmonë se kush ku e ka vendin. Shqiptarët e kanë vendin të bashkërenditur krah për krah me Ali Ahmetin, me Teutën dhe gjithë Teutat gjetiu në Republikën e Maqedonisë së Veriut.” – deklaroi Xhaferi në fjalimin e tij.