Alternativa këmbëngulë në qëndrimin se nuk e mbështesin Bilall Kasamin në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Tetovë. Për dallim nga partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët që thonë se kjo çështje mund të shqyrtohet, alternativasit nuk lëshojnë pe.
Në një komunikimin përmes mesazhit, anëtari i kryesisë qendrore të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi, u shpreh se “nuk kanë çfarë thonë pas asaj që e ka thënë Orhan Murtezani mbrëmë”. TV21 e pyeti Ibrahimin edhe nëse Alternativa është e unifikuar rreth këtij qëndrimi ose ka mendime ndryshe, por përgjigje konkrete për këtë nuk morëm.
Për të njëjtën çështje e pyetëm edhe anëtarin tjetër të Alternativës, Skender Rexhepin – Zejdi. Në përgjigjen dhënë TV21, ai nuk është i prerë sa ç’është bashkëpartiaku i tij Ibrahimi. Zejdi shprehet se për bashkëpunimet duhet të vendosen organet e të dyja partive, duke aluduar në Kuvendet Qendrore të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Shton edhe se çdo e keqe shqiptarëve në Maqedoni u vjen nga BDI.
“Për bashkëpunimet eventuale dhe përkrahjet në rrethin e dyte duhet të vendosin organet kompetente në të dyja partitë, por ajo që është e rëndësishme është se të gjitha të këqijat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë si pasojë e keqmenaxhimit të pushtetit qendror dhe atë lokal nga ana e BDI-së, andaj sa me herët kjo e keqe te largohet nga vendbanimet shqiptare aq më mirë do të jetë për shqiptarët”, tha Rexhepi për TV21.
Mbrëmë në ClickPlus, Elmi Aziri, nënkryetar i ASh-së, shprehi gatishmëri për ta mbështetur Kasamin në Tetovë.
“Natyrisht, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si bllok opozitar ne jemi të gatshëm që ta përkrahim Bilall Kasamin në komunën e Tetovës. Po, po, është Bilall Kasami ai që duhet të vijë”, tha Aziri në ClickPlus.
Një orë pas kësaj deklarate, zëdhënësi i Alternativës, Ohran Ibrahimi, me përgjigje: “Bëj të ditur që Alternativa nuk e mbështetë Bilall Kasamin në Tetovë”.
Për sot është paralajmëruar një takim mes sekretarit të përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe atij të Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha në Gostivar.