Sela përmend rastin e Kurcit: Zaev vazhdon të jetë kryeministër edhe pse u dogjën të gjallë 14 njerëz
Nuk është e vërtetë që gara në Komunën e Zhelinës është duke u bërë në mes katër kandidatëve, por mes pushtetit dhe opozitës, kështu u shpreh lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në tubimin në Zhelinë.
“Jemi afër zgjedhjeve dhe kësmet Zotit sot një javë ju bashkë me Mahirin do e festoni fitoren në këtë orë këtu në Komunën e Zhelinës. Me këtë dua të them se po afrohen qastet dhe momentet dhe ne nuk duhet të rrimë duarkryq dhe të presim tek afrohet java dhe vjen dita që quhet 17 tetor e që duhet rrethuar numri 6 por të gjithë këtë javë duhet ta kemi të mbushur me aktivitete, me punë të palodhshme, ashtu siç dini ju dhe siç ju kemi ndjekur në aktivitetet që i keni bërë”, tha më tej ai.
Shtoi se nuk duhen të besohen premtimet e pushtetit që po jepen në fushatë zgjedhore, pasi siç tha, diçka që s’u realizua për 20 vjet, nuk mund të realizohet për 14 vjet.
Ka kujtuar rastin e dorëheqjes së kancelarit austriak Sebastian Kurc. Në këtë linjë shtoi se Maqedonia e Veriut nuk arrin të jetë pjesë e Bashkimit Evropian jo për shkak të Bullgarisë, por se “kemi kryeministër i cili vazhdon të jetë kryeministër edhe pse u dogjën 14 persona”, duke menduar për tragjedinë e 8 shtatorit në Tetovë.
“Ata që si bënë 20 vite, tash premtojnë se do t’i realizojnë në 4 vitet e ardhshme. Jo, ne nuk duhet t’u besojmë gënjeshtrave. Folën atëherë dhe vazhdojnë tash të flasin për Bashkimin Evropian i cili do të ndodhte brenda muajit, brenda vitit dhe nuk e bënë dhe nuk është shkas vetëm Bullgaria. Sot ka dhënë dorëheqje kryeministri i Austrisë sepse u përfol një skandal, ndërsa ne sot kemi një kryeministër, i cili vazhdon të jetë kryeministër edhe pse u dogjën të gjallë 14 njerëz. Jo që s’jep dorëheqje ai, por mbron edhe ministrin dhe zëvendësministrin.. E pra nuk ka Evropë me këso lloj politikanësh të cilët nuk dinë se çfarë do të thotë moral. Ne do të duhet t’ua rikujtojmë atyre me votë. Nuk shkohet në Evropë, “, tha Sela.