Operacioni i Elifit përfundoi me sukses! Për ta ndihmuar që të ecë, për dy javë u mblodhën 20 mijë euro
Vajza që po shini në këtë video është Elifi. Para disa javësh, përmes ekranit të TV21, rrëfyem për pengesën e saj në lëvizje, ndërsa i duheshin 20 mijë euro për një ndërhyrje kirurgjike.
Falë humanistëve, kjo shumë u mblodh për kohë të shkurtër, ndërsa para një jave Elifi ka bërë operacionin, e brenda pak javësh pritet të nisë edhe me terapitë e nevojshme.
Është më se e dukshme se kësaj familjeje dibrane i është rikthyer buzëqeshja. E ëma e Elifit, Albana, nuk gjen fjalë për t’i falënderuar ata që ndihmuan, ndërsa tani si në gjysmë ankth pret që vajza të nisë të ecë.
“Jam shumë e lumtur që arrit në këtë nivel dhe u falënderohem të gjithë vëllezërve, motrave, Televizionit 21 dhe Senatit që apeloi edhe këtë apel e nxori në televizion dhe tash jam shumë e gëzuar, edhe ishalla do e shoh Elifin të ecë me këmbët e veta. Të gjithë gjërat janë përfshirë, me terapi, deri sa të mbarojë, janë të paguara dhe falënderoj, se na u hoq kjo e keqe dhe tash jemi më të gëzuar edhe dhëntë zoti të kryhet edhe terapia fizike me sukses, që Elifi të çohet në këmbët e veta”, tha Albana Zaide, nëna e Elifit.
Operacioni është kryer me sukses dhe ka zgjatur mbi pesë orë, ndërsa Albana tregon se ai ndërhyrja ka kaluar mirë dhe se mjekët i kanë garantuar se Elifi do të mund të ecë.
“Ditën e martë, të mërkurën u operua Eifi, edhe bashkë me operacionin kemi qëndruar katër ditë. Jo, asnjë lloj komplikimi, por ishte i gëzuar edhe mjeku, që i vetmi operacion i diagnozës së Elifit që ka kaluar pa asnjë lloj kompilimi, edhe asnjë lloj problemi. Qëndroi fort edhe ishalla arrin që të çohet në këmbët e veta, ndjen dhimbje, dhe zakonisht nëse ndjenë dhimbje ose mpirje të këmbeve, do të thotë se ka edhe shërim”, shtoi nëna e Elifit.
Elifi vazhdon të qëndroj e heshtur, por tani me një dallim! Në fytyrën e saj shihet buzëqeshja dhe gëzimi, në pritje që të heqë allçinë nga këmbët dhe të fillojë me terapitë, që do ta ndihmojnë drejt shërimit. Ditët po i kalon duke menduar për dëshirat e saj se çfarë do të bëjë kur të mund të ecë.
“Mirë, kam pak dhimbje por mirë jam”.
TV21: Në aeroplan ke dëshirë të udhëtosh me aeroplan për ku do udhëtosh?
“Për në Turqi”, u shpreh Elifi.
Paratë që u mblodhën për Elifin, kanë ardhur nga të gjitha anët, sidomos nga mërgimtarët.