Ministria e Arsimit (MASH) dhe Sindikata për Arsim, japin vlerësime të kundërta për zbatimin e konceptit të ri mësimor, një muaj pas fillimit të vitit shkollor. Minstrja Carovska pranon se jemi larg një sistemi të përkryer arsimor por shton se të gjitha shkollat fillore me sukses po realizojnë konceptin e ri për klasën e parë dhe të katërt.
E lumtur jam që në një numër më të madh të shkollave ato vet u furnizuan me tabela digjitale, kanë arritur të sigurojnë pajisje digjitale për nxënësit e klasës së katërt. Gjithashtu, kemi mësimdhënës të cilët u përgatitën dhe me përkushtim ndoqën tre modulet për konceptin e ri. Ne jemi larg një sistemi perfekt por hap pas hapi po ndërtojmë arsim që do t’ju përgjigjet nevojave të nxënësve sot dhe do ti përgatit, 20 vjet prej tash, kur ata do t’i shohim në tregun e punës – deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe nga Carovska, në Sindikatën e Arsimit tashmë kanë arritur vërejte dhe ankesa nga mësimdhënësit për mungesë të mjeteve për realizimin e mësimit dixhital. Kreu i SASHK-ut, Nedellkov theksoi se reformat janë të mirëpritura në momentin që shkollat do të kenë kushte të barabarta për zbatimin e tyre.
Gjithmonë kemi thënë se fillimisht duhet, një, dy, tre ose pesë vjet adaptim, përshtatje të asaj reforme, të shihen dhe të shqyrtohen anët e mira dhe të këqija, të gjendet një zgjidhje e duhur e reformave dhe të ecim përpara. Është e patjetërsueshme dixhitalizimi megjithatë edhe shteti, shoqëria duhet patjetër të sigurojë mjete për këtë punë. Nëse nuk kemi pajisje dixhitale, respektivisht, nëse nuk kemi mjaftueshëm mjete dixhitale atëherë çdo gjë bie në ujë – tha Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK-ut.
Viti i ri shkollor nisi bashkë me konceptin e ri mësimor për klasën e parë dhe të katërt. Nxënësit tashmë nuk kanë libra të zakonshëm por dixhital që duhet lexuar nga kompjuteri, laptopi ose telefoni. Për shkak të mungesës së këtyre mjeteve, shumë nxënës u detyruan të bëjnë fotokopjimin e librave dixhital të cilat nuk janë të lejuara nga dikasteri i Arsimit . Përveç nxënësve, ankesa të shumta vijnë edhe nga mësuesit të cilët thonë se për shkak të mungesës së kushteve koncepti i ri mësimor nuk po zbatohet.
Melihate Rustemi