Gazetarët shqiptarë e serbë sulmohen në veri

Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.

Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni.

Po ashtu, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, gjashtë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore. Ky është epilogu i një aksioni kundër kontrabandës së Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u prit me kundërshtim në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një postim në Facebook se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

“Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Top Channel