-ads3-

Rusia e ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për deklaratën se në të ardhmen Kosova dhe Shqipëria mund të bëhen bashkë. Kreu i qeverisë e bëri deklaratën në fundjavë duke thënë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është projekt personal, por një aspiratë e tij.

“E konsiderojmë deklaratë absolutisht të papranueshme. Promovimi i planit për ‘Shqipërinë e Madhe’ shkel rëndë dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe cenon stabilitetin e rajonit. Është çudi që shkelja e një dokumenti kaq thelbësor deklarohet si objektiv kryesor në karrierën politike të liderit të një vendi të Ballkanit,” deklaroi Ministria e Jashtme ruse.

Zëdhënësja Maria Zakarova shtoi se të tilla qëndrime nuk ndihmojnë as përpjekjet e Beogradit dhe Tiranës për krijimin e një tregu të përbashkët, në vazhdën e nismës “Ballkani i Hapur”.

“Presim reagimin e duhur nga kujdestarët perëndimorë rreth projektit për ndërtimin e kombit të Kosovës, që është një provokim i pastër. Habitemi që u shpëtojmë këto deklarata ndërkohë që kritikojnë Beogradin në lidhje me konceptin humanitar të ‘botës serbe’, që është në përputhje dhe i justifikuar edhe nga ligji ndërkombëtar.”

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vizitoi të dielën Serbinë ku takoi presidentin Aleksandër Vuçiq dhe deklaroi se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje që do i përshtatej Serbisë dhe popullit serb në lidhje me Kosovën, duke shtuar se duke shtuar se ajo do të duhej të miratohej edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.