Votimi në mëngjes filloi me kohë në orën 7 dhe gjithçka po shkon në rregull, pohon kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski. Votuan të moshuarit, të sëmurët dhe të pafuqishmit, qytetarët që janë infektuar me Covid-19 ose që janë në izolim, të zhvendosurit, të burgosurit dhe personat që janë në paraburgim. Të gjithë votuan me metodën e vjetër, gjegjësisht jo me pajisje biometrike, por me llambë ultra-vjollcë. Dashtevski tha se janë ndërmarrë të gjitha masat në qoftë se paraqitet ndonjë problem.
“Për këtë proces kemi siguruar 400 persona që do të ndihmojnë, njerëz nga sektori IT, 320 prej të cilëve janë siguruar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe 80 nga kompania që na ka shitur këto pajisje. Ne kemi blerë pajisje për 15% më shumë, gjegjësisht 520 aparate. Ata 400 persona, të cilët nuk janë pak, sipas meje, dikush prej tyre duhet të shkojnë menjëherë ta ndryshojë dhe ta vendosë kartelën SIM në aparat që votimi të mund të vazhdojnë”, u shpreh Aleksandar Dashtevski – kryetar i KSHZ-së.
Aparatet me gjurmë gishtash punojnë me energji elektrike, por edhe me bateri, prandaj, në qoftë se ndodh diçka, atëherë do të zbatohet metoda e vjetër e votimit.
“Në atë rast vazhdojmë me votimin tradicional, vetëm njerëzit të mos më kuptojnë se ky do të jetë rregull. Ky është një përjashtim, për të cilin unë them se nuk do të ndodhë, por në atë rast do të mund të votohet si më parë, me llambë UV dhe spërkatës. Prandaj gjithkund kemi siguruar llambë dhe spërkatës me qëllim që qytetarëve të mos u mohohet e drejta e votës. Por, në çdo vend ku kishte probleme me rrymën, ne i zgjidhnim me energji elektrike dhe tani ka gjithkund, diku nuk kishte priza, diku nuk kishte llambë…”, shtoi Dashtevski.
Dashtevski thotë se nuk pret të ketë probleme as me numërimin e përqindjes së daljes së qytetarëve në votim, e as me numërimin e votave, siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Në Listën e zgjedhësve janë regjistruar 1.824.864 votues, prej të cilëve 10.653 votuan sot. Këto zgjedhje i vëzhgojnë 1.247 vëzhgues, prej të cilëve 870 janë nga vendi.